Ministria e Brendshme në “hall”, kërkon drogë për të trajnuar qentë e shërbimit policor

schedule19:00 - 21 Janar, 2020

schedule 19:00 - 21 Janar, 2020

Kemi qen, po nuk kemi drogë për t’i stërvitur. Kështu mund të shprehet shkurt shqetësimi i ministrisë së Brendshme drejtuar organit qendror të akuzës.

Ministria e Brendshme dhe Policia deklarojnë se në aksionet e tyre kapen dhe sekuestrohen sasi të mëdha lëndesh narkotike në të gjithë vendin. Por serish policia ankohet se nuk ka drogë për të trajnuar qentë e sherbimit policor.

Vetë ministria ka paraqitur një shqetësim në Prokurorinë e Përgjithshme se nuk kanë sasi të mjaftueshme për të stërvitur qentë e tyre antidroge.

Bazuar në këtë shqetësim për nevojat e Institutit të përgatitjes së qenve të policisë, strukturë e  Ministrisë së Brendshme, përmes një shkrese të siguruar nga Abc News, Prokurori i Përgjithshem Olsian Çela i është drejtuar në dhjetor  të vitit të shkuar prokurorisë së Elbasanit për t’i kerkuar bashkëpunim për informacion mbi sasitë e drogës së sekuestruar si prova.

“Drejtuesit e prokurorisë të mbajnë komunikime me strukturat e policisë, për t’i informuar mbi çështje të dërguara në gjykatë ku janë sekuestruar lëndë narkotike”. shkruhet në shkresën e firmosur nga Olsian Çela , të siguruar nga Abc News.

Nuk dihet nëse ky është një urdhër që kryeprokurori ua ka drejtuar të gjitha prokurorive , apo vetëm asaj të Elbasanit. Qarku i Elbasanit është një nga pikat e nxehta të trafikut të lëndëve narkotike në vend, dhe një nga zonat ku ky trafik ka pasur goditje të herëpasherëshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!