Ministria britanike e mbrojtjes: Rusia në avantazh në betejën për qytetin Bakhmut

schedule15:38 - 7 Prill, 2023

schedule 15:38 - 7 Prill, 2023

Rusia ka rifituar avantazhin në betejën për qytetin e Bakhmutit njoftoi të premten Ministria britanike e Mbrojtjes në buletinin e saj të përditshëm me të dhëna të zbulimit lidhur me sulmin e Rusisë në Ukrainë.

Sipas raportit britanik, forcat ruse me të gjitha gjasat kanë përparuar drejt qendrës së qytetit Bakhmut dhe kanë kapur bregun perëndimor të Lumit Bakhmutk. Në raport gjithashtu thuhet se forcat mercenare të Grupit Wagner dhe komandantët në Ministrinë ruse të Mbrojtjes “kanë ndalur mosmarrëveshjet mes tyre dhe kanë përmirësuar bashkëpunimin”.

I pyetur në lidhje me raportin britanik, një zëdhënës i komandës së ushtrisë ukrainase i tha agjencisë së lajmeve Reuters se situata ishte e vështirë në Bakhmut dhe se pala ruse po i përqendronte të gjitha forcat për ta marrë këtë qytet, por se nuk ata kanë patur “sukses strategjik”.

Sidoqoftë, raporti britanik i së premtes dallon nga raportet e mëparshme që zakonisht kanë theksuar sukseset e ukrainasve.

Analistët perëndimorë vlerësojnë se të dyja palët po pësojnë humbje të shumta në radhët e forcave të tyre që luftojnë për qytetin Bakhmut, për të cilin Moska ka thënë se e ka marrë nën kontroll.

Ukraina ka thënë se po e vazhdon luftën atje për t’i dobësuar forcat ruse, përpara se të hidhet në një kundërofensivë të mbështetur nga furnizimet me armatime të avancuara perëndimore.

Qyteti Bakhmut ka qenë dikur një nyje e rëndësishme në rajon për transportet dhe logjistikën. Marrja e qytetit tashmë të shkatërruar do t’i ofronte Rusisë mundësinë për të përparuar drejt dy qyteteve më të mëdha të provincës Donetsk, që i ka dëshiruar prej kohësh: Kramatorskun dhe Slovianskun./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!