Ministri Sveçla: Zgjedhjet në Veri do të përfundojnë me sukses

schedule12:02 - 14 Prill, 2023

schedule 12:02 - 14 Prill, 2023

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla tha se është i bindur që zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës do të përfundojnë të suksesshme.

Në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, më 23 prill do të mbahen zgjedhjet për kryetar të komunës, ndërkaq zgjedhje për kuvende komunale do të zhvillohen në Leposaviç dhe Zveçan, shkruan REL.

Gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për integrim evropian, Sveçla tha se Policia e Kosovës dhe e gjithë Ministria e Brendshme janë në dispozicionin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të organizuar votimet.

“Për ne është imperativ që këto zgjedhje të mbahen në një atmosferë të qetë, të sigurt, qoftë për organizatorët, por edhe për vetë qytetarët atje. Janë çështje të vendimeve politike të subjekteve të caktuara të cilat duan apo nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje. Por, me rëndësi është që institucionet e Kosovës janë duke vijuar me organizimin e procesit zgjedhor, ashtu siç është më së miri. Jam i bindur që i gjithë ky proces do të përfundojë i qetë, i suksesshëm duke tejkaluar edhe problemet të cilat i përmenda”, theksoi Sveçla.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, nuk ka aplikuar që të marrë pjesë në këto zgjedhje. Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!