Ministri rus i Mbrojtjes pretendon se ka pushtuar Mariupolin – raporton Reuters. Lidhur me këtë ka dalë në deklaratë edhe ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu, i cili shprehet se Rusia ka pushtuar Mairupolin.
Ai shton se situata është e qetë, duke i hapur rrugë kthimit të civilëve. Shoigu tha se Rusia evakuoi më shumë se 142,000 civilë nga Mariupol. Shoigu pretendoi se 1,478 luftëtarë ukrainas tashmë janë dorëzuar, por më shumë se 2,000 luftëtarë ukrainas janë ende duke mbrojtur fabrikën metalurgjike Azovstal. Ai tha se uzina Azovstal është e bllokuar në mënyrë të sigurt.
Asnjë nga këto pretendime nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur. Nuk ka ende asnjë fjalë nga pala ukrainase për t’i konfirmuar apo mohuar ato.
Mediat raportojnë edhe më tej duke thënë se presidenti rus Vladimir Putin ka uruar Shoigu për një operacion të suksesshëm dhe duke udhëzuar se nuk ka nevojë të sulmohet uzina e Azovstal, por se ajo duhet të bllokohet në mënyrë që të mos kalojë as “një mizë”.
Putin përsëriti një garanci ruse për jetët e atyre në uzinën Azovstal nëse dorëzohen. Forcat ukrainase kanë refuzuar vazhdimisht të dorëzojnë pozicionin e tyre atje. /abcnews.al/