Ministri Peleshi i drejtohet të rinjve për bujqësinë

schedule16:01 - 1 Nëntor, 2017

schedule 16:01 - 1 Nëntor, 2017

Bujqësia duhet të ngjallë interesin e të rinjve pasi ofron mundësi të shumta punësimi. Është Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi i cili kërkon që ndërgjegjësimi për këtë sektor të nisë në bankat e shkollës.

Ka zgjedhur ambintet e një kompanie private që vepron në fushën e bujqësisë organike në Maminas për të bashkëbiseduar me nxënësit e shkollës së mesme Kajo Karafili.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi i ka ftuar që të shohin drejt sektorit të bujqësisë.
“Dua t’i them të gjithë të rinjve, apo atyre që kanë aftësi sipërmarrje, t’i kthejnë sytë tek bujqësia. Të zbulojnë një mozaik të madh mundësish, që ky sektor ka, bujqësia, por edhe blegtoria, të marrin mbështetjen dhe konsulencën e programeve të shumta, që Ministria është duke filluar, sidomos në bashkëpunim edhe me donatorët shumë të vyer, që kemi përkrahë.”
Arsyeja pse Ministri është ndalur të bashkëbisedojë me këta të rinj është idea e modernizimit dhe futjes së frymës së re në këto sektorët e bujqësisë dhe blegtorisë.

“.. ne jemi të gatshëm, që Anisën dhe gjithë të tjerët t’i ftojmë, t’i mbështesim me mundësitë jo të pakta, që do të kemi tani dhe në vijim, në mënyrë, që të rinjtë të ndërtojnë modelin e bujqësisë e së nesërmes.”
Ndër të tjera, z.Peleshi ka theksuar mbështetjen dhe subvencionimin sipërmarrjeve me grante financiare nga skema kombëtare e mbështetjes financiare për bujqësinë.
“… Vitin që vjen, herët në janar, të vitit të ardhshëm, ne do të shpallin skemën e mbështetjes financiare për bujqësinë. Këtë vit është më e madhja, që ka patur ndonjëherë Shqipëria, 25 milionë euro vetem nga buxheti i shtetit, skema e mbështetjes së bujqësisë. Plus pastaj dhe 93 milionë euro, që pritet me shumë gjasa, të fillojë vitin që vjen nga programi IPARD i Bashkimit Evropian. Kemi mundësi të shumta, që jo vetëm të promovojmë, të mbështesim dhe të nxisim.”
Për ministrin Peleshi edukata dhe ndërgjegjësimi për potencialin që ka bujqësia duhet të nisë që në bankat e shkollës.

https://youtu.be/CzQCwuOsKPE

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!