Ministri koreano-verior në Suedi, përgatitje për takimin Trump-Kim

schedule10:29 - 17 Mars, 2018

schedule 10:29 - 17 Mars, 2018

Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut po zhvillon një vizitë pune në Stokholm, që shihet si hapi i parë drejt realizimit të takimit mes presidentit Trump dhe Kim Jong un. Kjo, nisur nga fakti se Suedia ka shërbyer si ndërmjetëse mes dy vendeve.

Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut po zhvillon një vizitë në Stokholm, ku është takuar me kryeministrin suedez Stefan Lofven, përpara një takimi të mundshëm mes presidentit Donald Trump dhe Kim Jong-un. Sidoqoftë, Peniani zyrtar ka deklaruar se vizita e Ri Yong-ho ishte për marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet me interes të përbashkët.

Suedia ka një histori të gjatë ndërmjetësimi mes Uashingtonit dhe Penianit. Shefi i diplomacisë koreano-veriore u takua dy herë me homologen e tij, Margot Wallstrom, mbrëmjen e së enjtes dhe paraditen e së premtes. Në fokus të diskutimeve ishin tensionet mes dy Koreve dhe puna diplomatike e Stokhomlit zyrtar për llogari të Shteteve të Bashkuara në Veriun e izoluar. Ministri Ri e ka zgjatur vizitën në kryeqytetin suedez me dy ditë dhe ai do të qëndrojë atje deri të dielën, bëjnë të ditur mediat lokale, sipas të cilave axhenda e bisedimeve është zgjeruar.

Një prej temave që do të diskutohet është edhe mundësia për të vendosur marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara dhe lirimin e qytetarëve amerikanë të burgosur në Korenë e Veriut. Javën e kaluar presidenti amerikan Donald Trump pranoi ftesën për bisedime direkte me Kim Jong un, pas muajsh të tërë akuzash e ofendimesh mes tyre. Që nga publikimi i ftesës, e bërë përmes zyrtarëve koreano-jugorë, nga Peniani nuk ka patur ende një reagim./abcnews.al