Italia po e përballon valën e dytë të koronavirusit më mirë se vendet e tjera, kështu është shprehur ministri i Shëndetësisë në vend. Megjithatë, Roberto Speranza theksoi se nuk ka vend për të krijuar iluzione.
“Në fakt, ekziston një përkeqësim objektiv i situatës. Për 9 javë kemi pasur një trend në rritje të numrave. Do të ishte shumë e gabuar të imagjinonim që ia hodhëm.”
Deklaratat ministri italian i Shëndetësisë i bëri gjatë një kominikimi të masave të reja anti Covid-19 ndërsa pritet që vendi fqinj ta zgjasë gjendjen e emergjencës deri më 31 janar të 2021.
Italia, shtoi ai, ka një avantazh të vogël krahasuar me vendet e tjera evropiane, por ky avantazh nuk duhet të zbehet. Në këtë moment, duhet të ndiqen protokollet që janë të vendosura deri më tani.”
Speranza shtoi se në shkurt, mars dhe prill virusi kishte prekur një pjesë të limituar të Italisë: Lombardinë dhe disa zona në Veri.
Por tashmë, shtoi ai, nuk ka më dinamikë territorialiteti.
“Shifrat tregojnë një përhapje të gjerë dhe një rritje që mund të prekë të gjitha territoret. Asnjë rajon nuk mund ta konsiderojë veten jashtë rrezikut.”
Që nga fillimi i pandemisë e deri më tani, Italia numëron 327,586 të infektuar dhe 36,002 viktima nga Covid-19. s.b/abcnews.al/