Ministri i Jashtëm hungarez pro hapjes së negociatave

schedule15:24 - 18 Qershor, 2019

schedule 15:24 - 18 Qershor, 2019

Ministri i jashtëm i Hungarisë është shprehur pro hapjes së negociatave të dy vendeve me Bashkimin Evropian. Në një intervistë për gazetaren e ABC Neës Erisa Zykaj në Bruksel, ministri hungarez ka shprehur shqetësimin e se shtetet e mëdha nuk janë akoma gati për të thënë qëndrimin pro Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Cili është qëndrimi i Hungarisë mbi paketën e zgjerimit sot ?

Peter Szijjarto, ministër i jashtëm i Hungarisë: Hungaria ka një qëndrim pro zgjerimit të Bashkimit Europian. Ne jemi fqinjët e Ballkanit Perëndimor, ndaj e kuptojmë shumë mirë rëndësinë e zgjerimit dhe të vendimit që do merret sot lidhur me procedurën e çeljes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Fatkeqësisht, qëndrimi ynë përfaqëson minoritetin, pasi shtetet e mëdha perëndimore anëtare të Bashkimit Europian nuk duken të gatshme për të marrë këtë vendim, gjë për të cilën ne shprehim keqardhje të madhe. Ne e njohim mirë rajonin, tensionet që ka dhe e dimë mirë se integrimi europian do të ishte përgjigja më e mirë për të kapërcyer këto tensione. Ne e dimë shumë mirë se sa e dëmshme për rajonin do të ishte shtyrja e vendimit për hapjen e negociatave me të dyja vendet. Shqipëria ka qenë vend kandidat për më shumë se 5 vjet dhe ne nuk shohim arsye për të mos filluar negociatat e anëtarësimit.

Ka një qëndrim të ndryshëm për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kemi parë shumë vende anëtare me një angazhim pozitiv dhe konstruktiv për Maqedoninë e Veriut sidomos pas marrëveshjes së Prespës dhe jo të njëjtën qëndrim për Shqipërinë.

Peter Szijjarto: Arritja e marrëveshjes së Prespës ka shkaktuar një entuziazëm, duke qenë se i ka dhënë fund një konflikti që ka zgjatur për një kohë të gjatë. Pra, entuziazmi ishte i kuptueshëm. Por në kuptimin tonë, kjo nuk duhet ta lerë në hije Shqipërinë, sepse ne respektojmë hapat që janë arritur nga vendi lidhur me procesin e Vettingut dhe hapa të tjerë të ndërmarrë që janë vlerësuar në progres-raportin e Komisionit Europian. Edhe pse ne e mendojmë se secili vend duhet të gjykohet në bazë të meritës, ne kuptojmë që Shqipëria ka koleksionuar mjaftueshëm merita për të çelur negociatat e anëtarësimit tani. Ne mbështesim vlerësimin bazuar në meritë, jo vetëm se jemi miq të trajtimit bashkë të dy vendeve jo thjesht në parim, por sepse gjykojmë që bazuar në performancën e secilit vend, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meritojnë hapjen e negociatave. 

Ju e dini që ka rezerva nga tre vende të mëdha anëtare si Holanda, Gjermania dhe Franca lidhur me ato që këto vende konsiderojnë si rezultate të pamjaftueshme, të paprekshme dhe jo bindëse në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Edhe për reformën e drejtësisë ka qëndrime që është vërtet një reformë ambicioze, por që nuk është zbatuar ende. Po dëgjojmë madje, që në tetor do të ketë një shkëputje të dy vendeve, pasi sipas disa shteteve anëtare Shqipëria nuk i përmbush tërësisht kushtet. Cili është qëndrimi juaj?

Peter Szijjarto: Këto qëndrime sigurisht që janë të motivuara politikisht. Nuk ka dyshim. bëhet fjalë për një procedurë politike. Disa herë, këto qëndrime politike janë shumë të çekuilibruara dhe krijohet një përshtypje legjitime që këto deklarata nuk janë të ndershme. Kjo nuk i ndodh vetëm vendeve kandidate, por edhe anëtare si Hungaria që është në fokus të sulmeve të ngjashme kur bëhet fjalë për shtetin ligjor dhe lirinë e shtypit. Ne duhet të mësohemi më këtë ashtu siç duhet të mësoheni ju kur të bëheni shtete anëtar. Çelja e negociatave nuk do të thotë se duhet të përmbushësh të gjitha kriteret, sepse nuk është e njëjta gjë me anëtarësimin. Çelja e negociatave do të thotë që Bashkimi Europian kupton gatishmërinë e një shteti për të përmbushur të gjitha kriteret e vendosura nga Bashkimi Europian. Mendoj, se Shqipëria ka bërë mjaftueshëm për të arritur në këtë stad.

Çmendoni për situatën politike në Shqipëri që është ndezur këto ditë edhe më shumë nga përgjimet e publikuara nga e përditshmja gjermane “Bild” që u referohen aludimeve për lidhje të pushtetit me grupe kriminale.

Peter Szijjarto: Unë e bazoj politikën e jashtme në respekt të ndërsjellë. Ndaj, unë ia le sfidat e vendeve të tjera qeverive të këtyre vendeve. Ato do të jenë të përgjegjshme dhe llogaridhënëse dhe në zgjedhjet e ardhshme qytetarët do të marrin një vendim të qartë lidhur me atë nëse janë të kënaqur apo të pakënaqur me performancën e qeverisë në fjalë. Por nuk më pëlqen dhënia e leksioneve dhe gjykimi për situatën e vendeve të tjera, pasi kush jam unë që të di më mirë se ç’ndodh në Shqipëri sesa vetë shqiptarët. Pra, është shumë më e zgjuar që kjo t’i lihet shqiptarëve që të vendosin për çështjet e brendshme. Është e njëjta gjë që pres nga të tjerët kur bëhet fjalë për Hungarinë. Të mos mendojnë se ata e dinë më mirë ç’duhet për hungarezët sesa vetë hungarezët. Ata që e dinë, se cila zgjidhje është më e mirë për Shqipërinë, janë shqiptarët./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!