Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë Nikos Dendias ka “shigjetuar” sërish Turqinë duke deklaruar se po bën të kundërtën e saj që ka kërkuar Bashkimi Europian. Në një telekonferencë në Këshillin e Punëve të Jashtëm të BE, Dendias u shpreh se mes dy vendeve nuk duket se ka vend për dialog pozitiv.
“Fatkeqësisht nuk duket se ka vend për një” dialog pozitiv me Turqinë. Bashkimi Evropian duhet të përgatisë dhe menjëherë të miratojë masat e duhura që do ta detyrojnë Turqinë të respektojë ligjin ndërkombëtar,” deklaroi Nikos Dendias.
Dendias vuri në dukje se Këshilli Europian i datave 1 dhe 2 Tetor, kishte vendosur të fillonte një “dialog pozitiv” me Turqinë, me kushtin “që Turqia të bënte përpjekje konstruktive për të ndaluar përgjithmonë veprimet e paligjshme kundër Greqisë dhe Qipros “.
Ministri i Jashtëm grek theksoi në këtë kontekst se Turqia bëri krejt të kundërtën, duke përshkallëzuar veprimet e saj të paligjshme në një zonë që mbivendoset në një shelf kontinental grek në Mesdheun Lindor dhe në thelb injoron propozimin e Bashkimit Evropian për çdo perspektivë të përmirësimit të marrëdhënieve me BE.
Ai foli gjithashtu për vizitën e fundit të Presidentit Turk në Varos, duke thënë se qyteti i mbyllur “nuk është një vend për piknik” dhe se ky veprim është një fyerje për të gjithë. Ai përsëriti se Greqia dënon pa mëdyshje këtë veprim, i cili shkel hapur rezolutat e Këshillit të Sigurimit. Dendias shprehu solidaritetin e tij me Francën dhe Austrinë pas sulmeve të fundit terroriste, duke theksuar se vlerat europiane janë të panegociueshme./mv.abcnews.al