TIRANË- Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi mbajti fjalë në eventin për infrastrukturën nëntokësore në zonat urbane me në fokus sistemimi i kabllove ajrore dhe strukturave të improvizuara që dëmtojnë pamjen e qyteteve.
Ministri theksoi se Shqipëria po punon për të harmonizuar zhvillimin e rrjeteve të komunikacioneve me standardet e Bashkimi Europian, me synimin për ndërtimin e rrjeteve moderne me fibër optike deri te përdoruesi fundor.
“Shqipëria po harmonizon zhvillimin e rrjeteve të telekomunikacionit me standardet e Bashkimit Europian, duke synuar ndërtimin e rrjeteve Gigabit me fibër optike deri tek përdoruesi fundorë dhe mbulim të avancuar 5G në përputhje me objektivat e Bashkimit Europian për vitin 2030, sipas të cilës të gjithë përdoruesit fundorë në vendet fikse të jenë të mbuluar nga një rrjet Gigabit deri në pikën e përfundimit të rrjetit dhe të gjitha zonat e populluara të jenë të mbuluara nga rrjete pa tel me shpejtësi të lartë të gjeneratës së ardhshme, me performancë të paktën ekuivalente me 5G, në përputhje me parimin e neutralitetit teknologjik.Objektivi është ndërtimi i një shoqërie Gigabit në Shqipëri, ku qytetarët dhe bizneset të kenë akses në internet me shpejtësi të lartë në të gjithë territorin e tij.”, tha ai.
Ky proces synon kalimi gradual drejt infrastrukturës nëntokësore, ndërsa bashkitë priten të luajnë një rol kryesor.
Fjala e plotë e ministrit:
Shqipëria po harmonizon zhvillimin e rrjeteve të telekomunikacionit me standardet e Bashkimit Europian, duke synuar ndërtimin e rrjeteve Gigabit me fibër optike deri tek përdoruesi fundorë dhe mbulim të avancuar 5G në përputhje me objektivat e Bashkimit Europian për vitin 2030, sipas të cilës të gjithë përdoruesit fundorë në vendet fikse të jenë të mbuluar nga një rrjet Gigabit deri në pikën e përfundimit të rrjetit dhe të gjitha zonat e populluara të jenë të mbuluara nga rrjete pa tel me shpejtësi të lartë të gjeneratës së ardhshme, me performancë të paktën ekuivalente me 5G, në përputhje me parimin e neutralitetit teknologjik.
Objektivi është ndërtimi i një shoqërie Gigabit në Shqipëri, ku qytetarët dhe bizneset të kenë akses në internet me shpejtësi të lartë në të gjithë territorin e tij.
Patjetër që Ministria në zbatim të dhe vizionit të Kryeministrit për një shoqëri Gigabit edhe në mbështetje të ofrimit të shërbimeve dixhitale në sektorin publik dhe privat, ka hartuar kuadrin e plotë ligjor dhe nënligjor për rrjete më të shpejta, më të sigurta dhe më të qëndrueshme, të përfaqësuara ndërmjet të tjerave nga:
Ligji 54/2014 për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë, që bën përafrimin e plotë të Kodit Europian të Komunikimeve Elektronike dhe vendos si objektiv ndërtimin e rrjeteve të kapaciteteve të larta të komunikimit, që parashikon shpejtësi komunikimi mbi 100 megabit për sekondë;
Ligji 120/2016 për zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë të lartë, që vendos bazat për të ulur kostot dhe përshpejtuar investimet në infrastrukturën dixhitale përmes thjeshtimit të procedurave, koordinimit institucional dhe zbatimit të parimit “gërmo vetëm një herë”.
Gjithashtu, ndryshimi në VKM-në për lejet e zhvillimit, që rregullon zhvillimin e territorit në lidhje me komunikimet elektronike sipas praktikës së Bashkimit Europian, kanë parashikuar lehtësime në kategori të caktuara punimesh, si ato për mirëmbajtjen e rrjeteve.
Ministria po ashtu ka hartuar në konsultim me publikun dhe me të gjithë aktorët dhe në fakt tani është në fazën e pritjes së marrjes së no-objection nga Komisioni Europian, ligjin e ri për infrastrukturën e Gigabit, duke përafruar legjislacionin e ri europian në fushën me koordinim me të gjithë aktorët. Ky projektligj në fakt u prezantua në 14 maj 2026 me të gjitha bashkitë dhe është miratuar dhe nga Këshilli Konsultativ me bashkëqeverisjen vendore.
Ministria, përveç gjithë kuadrit ligjor, në fakt ne e dimë që kemi edhe zona dhe territore në Shqipëri të cilat, për shkak të mungesës së një fizibiliteti nga ana e operatorëve ekonomikë, nuk kanë të shpërndarë dhe të zhvilluar rrjet broadband.
Në kuadër të kornizës të investimeve të Ballkanit Perëndimor, WBIF, Ministria ka përfituar një projekt në lidhje me shtrimin e rrjetit broadband në këto zona që quhen zona të bardha, të cilat nuk kanë mbulim. Dhe ka një vlerë totale prej 110 milionë euro dhe një grant prej rreth 35 milionë euro të akorduar nga Bashkimi Europian. Dhe çfarë synojmë ne këtu? Të mbështesim ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike broadband në këto zona, duke mbështetur sigurisht politikat e qeverisë për ofrimin e shërbimeve dixhitale në të gjithë territorin e vendit dhe zhvillimin e ekonomisë në këto zona.
Ministria po ashtu ka mundësuar edhe asistencë për bashkitë nga Bashkimi Europian, me qëllim krijimin e strukturave të duhura brenda bashkive për përmbushjen e detyrave që bashkitë kanë lidhur me zhvillimin e rrjeteve broadband, përsëri në bazë të parimit “gërmo vetëm një herë”.
Gjithashtu, do të vazhdojmë të mbështesim AKEP-in në të gjithë veprimtarinë për hartimin e akteve të brendshme rregullatore dhe mbikëqyrjen e zbatimit të detyrimeve ligjore nga bashkitë, institucionet publike, zhvilluesit e infrastrukturave publike dhe operatorët e telekomunikacionit, me qëllim që standardet, kërkesat ligjore për sigurinë, integritetin dhe qëndrueshmërinë e rrjeteve të telekomunikacionit në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit dhe në përfitim të qytetarëve të vendit.
Sigurisht që zhvillimi i infrastrukturës dixhitale Gigabit, ndërtimi i rrjeteve të komunikimit të kapaciteteve të larta, të sigurta dhe qëndrueshme që i përgjigjen kërkesave të të ardhmes, në të gjithë sektorët e ekonomisë, në transport, energji, industri, për autonomizimin e proceseve të biznesit, realizimin e Smart City, ofrimin e shërbimeve elektronike ndërkufitare, kërkon investime të vijueshme.
Por, realizimi i një shoqërie Gigabit kërkon një rol më aktiv. Kërkon një rol më aktiv nga të gjitha bashkitë, aktorët e ndryshëm institucional, entet publike që kanë rol në këtë proces, si për lejet e ndërtimit, si për zhvillimin e këtyre rrjeteve dixhitale, respektimin e afateve ligjore, adoptimin e rregullave transparente dhe objektive. Megjithatë, ne jemi të fokusuar për t’i arritur këto qëllime dhe për të vijuar për të çuar para Shqipërinë drejt këtij transformimi.
/abcnews.al



