Ministri gjerman: BE është kundër ndryshimit të kufijve

schedule20:38 - 16 Shtator, 2018

schedule 20:38 - 16 Shtator, 2018

Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, gjatë një vizite në Beograd ka njoftuar se Berlini dhe Bashkimi Evropian janë kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, problemet nuk do të zgjidhen përmes rishikimit të kufijve.

Ministri për Evropën në Ministrinë e Punëve të jashtme të Gjermanisë Michael Roth, gjatë një vizite zyrtare në Beograd, tha se “me vullnet të mirë dhe me guxim mund të arrihet zgjidhja për Kosovën”. Megjithatë ka përcjellë edhe mesazhin nga Berlini se “problemet nuk mund të zgjidhen me vizatimin e kufijve të rinj”. Zyrtari gjerman në një deklaratë për agjencinë shtetërore të lajmeve të Serbisë, Tanjug, ka sjellë në vëmendje se “shtetet e Ballkanit Perëndimor prapa vetes kanë një histori tragjike, një luftë civile me qindra mijëra të vrarë dhe me miliona njerëz të dëbuar dhe të zhvendosur. Pikërisht për këtë arsye, tha Roth, të gjithë duhet të nxjerrin mësime nga ajo histori tragjike.

Michael Roth, ministër i Gjermanisë për Evropën: “E ardhmja e Ballkanit Perëndimor janë shoqëritë që janë të hapura për të gjithë popujt, religjionet, kulturat. Për këtë angazhohet Evropa dhe BE-ja. Për këtë arsye edhe një herë mundem vetëm të paralajmëroj se problemet nuk zgjidhen me atë që do të vizatohen kufij të rinj”.

Roth u pyet edhe për mundësinë e ndryshimit të kufijve, apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. “Kam një përshtypje se as në Ballkanin Perëndimor, sepse shumë shpesh e vizitoj, nuk ka simpati për një ide të tillë. Hapja e Kutisë së Pandorës mund të jetë me pasoja të rënda”, tha diplomati gjerman. Në fund ai nënvizoi se rasti i marrëveshjes për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë duhet të shikohet si shembull për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve./abcnews.al