Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian u mblodhën në Qipro për të diskutuar strategjinë europiane ndaj Rusisë dhe rolin që mund të ketë Europa në negociatat e ardhshme me Moskën.
Shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, paralajmëroi vendet anëtare që të mos bien në atë që ajo e quajti “gracka ruse”, duke debatuar se kush duhet të përfaqësojë Europën në tryezën e negociatave.
Unë mendoj se kjo është një grackë ku Rusia dëshiron që ne të futemi, që të diskutojmë se kush flet me ta dhe kush jo. Negociatat janë gjithmonë një përpjekje ekipore. Ka role të ndryshme dhe strategji të ndryshme, ndaj përmbajtja është më e rëndësishme sesa personat”, tha shefja e diplomacisë së BE, Kaja Kallas.
Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, deklaroi se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka treguar vullnet për bisedime reale.
“Të gjithë po flasin se kush do të negociojë me Putinin, por realiteti është se Putini nuk dëshiron të flasë. Ai po shton presionin mbi Ukrainën dhe ne shohim sulme të çmendura çdo natë kundër qytetarëve ukrainas”, u shpreh ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna.
Edhe ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, tha se Moska nuk ka treguar gaishmëri për paqe apo armëpushim.
“Rusia nuk ka asnjë vullnet për paqe, për armëpushim apo për negociata. Prandaj duhet të jemi të përgatitur të vazhdojmë mbështetjen për Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, shtoi ministri i jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares.
Ndërkohë, pavarësisht shtimit të sulmeve ndaj Ukrainës, Kremlini ka shprehur vazhdimisht se Putin është i hapur për negociata.
Nga ana tjetër, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar që diplomacia të rifillojë me intensitet dhe Europa të përfshihet drejtpërdrejt në procesin e negociatave.


