Konflikti mes Izraelit dhe Iranit dominoi diskutimet në Ministerialin e procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Nga Tirana, ministri për Evropën dhe punet e jashtme, Igli Hasani, kërkoi nga Tel Aviv dhe Teherani vetëpërmbajtje dhe një zgjidhje të qëndrueshme politike.
“Ne jemi të shqetësuar nga tensionet e përshkallëzura në Lindjen e Mesme, përballjet e fundit midis Izraelit dhe Iranit, që paraqesin rrezik serioz për stabilitetin më të gjerë rajonal me pasoja globale. Shqipëria rikonfirmon të drejtën e Izraelit për të ruajtur sigurinë e vet dhe për të mbrojtur qytetarët e vet nga kërcënimet.”
Hasani u ndal tek rreziku që kjo përplasje paraqet për stabilitetit global, duke rikujtuar se zhvillimi I armëve bërthamore mund të ketë pasoja shkatërruese për të gjithë botën.
“I bëjmë thirrje Iranit që të ndalë aktivitetet e tij bërthamore dhe të raketave balistike dhe të veprojë në përputhje me detyrimet e veta në kuadër të të drejtës ndërkombëtare, përfshrë edhe traktatin për mospërhapjen e armëve bërthamore. Zhvillimi i armëve bërthamore do të kishte pasoja katastrofike në rajon e përtej.”
Të premten, Izraeli sulmoi Iranin duke goditur impiantet bërthamore, fabrikat e raketave balistike dhe objektiva të tjera ushtarake, duke lënë të vrarë komandantë të lartë ushtarakë dhe shkencëtare. E menjëhershme ishte edhe kundërpërgjigja e Iranit, i cili lëshoi drone dhe raketa mbi Izrael duke goditur disa qytete./abcnews.al