“Minimi i dialogut strategji e mesazh për BE-në”, Mulleti: Nuk i shpëton dot as Kurti e as Vuçiç

schedule22:37 - 8 Qershor, 2021

schedule 22:37 - 8 Qershor, 2021

Në pjesën e tretë të “Log” me Endri Xhafon është duke u diskutuar për dialogun sipas kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Të ftuarit në studio kanë komentuar samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet të enjten në Tiranë dhe rolin që ai do të ketë në bisedimet Kurti-Vuçiç, apo Rama-Kurti.

Sipas gazetares së ABC Linda Karadaku, samiti është një rast për kryeministrin Kurti që të jetë në një tryezë me liderët ballkanikë ndërsa çështja kryesore për t’u zgjidhur në tavolinë është dialogu Kosovë-Serbi.

Po ashtu  ky samit, thotë Karadaku është një mundësi për Kurtin për të avancuar në drejtim të kësaj çështjeje. Kurse, për diplomatin Agim Nesho, ky samit është një formë presioni i BE dhe Gjermanisë të cilat kërkojnë të vënë në shina procesin që kanë nisur në 2015.

“Kanë rënë dakord në përgjithësi të gjithë vendet, që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Influenca të tjera jo evropiane po shtojnë presionet dhe këtu lind nevoja për një zgjidhje.”

Samiti, sipas Neshos, është edhe një përpjekje që vendet e rajonit të konkretizojnë iniciativat që duan.

“Të ndryshojnë atë strategji që është prezente në gjithë lidershipin ballkanik. Një përpjekje për t’i afruar pak më tepër. Kurti një person i rëndësishëm…”

Ndërsa, qëndrimi i mbajtur nga Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë, kur ai edhe e radhiti thuajse të fundit si prioritet dialogun, sipas Niuton Mulletit ishte një strategji e mirëmenduar.

Ai thotë se Kurti ishte i vetëdijshëm që dialogu është një kriter nga i cili nuk shpëtojnë dot as Kosova dhe as Serbia, por shton se kryeministri kosovar e bëri atë lëvizje të mirëmenduar për të rritur pozitat e Kosovës.

“Kurti ka qenë i vetëdijshëm që është kriter që nuk shpëton dot as Kosova dhe as Serbia. Jam i bindur që ka qenë një strategji e kalkuluar. I dha një mesazh BE që qeveria e tij do kishte qasje më kritikë, në kuadër të dialogut.”

Kurse, diplomati Avni Spahiu samitin që do të mbahet të enjten në Tiranë e cilësoi si një fazë para dialoguese, dhe jo një vazhdim të dialogut.

“Jemi ende në një fazë para dialoguese. Nuk është një ristartim apo vazhdim i dialogut. Kurti është shprehur se takimi me Vuçiç nuk ka të bërë me rifillimin e dialogut…Mendoj që do të ketë një angazhim më të madh të SHBA. Do t’i ndjekë nga afër të gjitha zhvillimet…” s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!