Minat në Detin e Zi janë bërë pengesë për eksportin e grurit, Britania i dërgon dronë nënujorë Ukrainës

schedule08:24 - 28 Gusht, 2022

schedule 08:24 - 28 Gusht, 2022

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se do të dërgojë gjashtë dronë nënujorë në Ukrainë për ta ndihmuar atë të neutralizojë minat detare të vendosura nga Rusia në brigjet e saj dhe të trajnojë personelin ushtarak ukrainas për t’i operuar ato.

“Këto mjete nënujore pa pilot, të lehta dhe autonome janë të dizajnuara për përdorim në mjedise të cekëta bregdetare dhe janë të afta të operojnë në mënyrë efektive në thellësi deri në 100 metra për të zbuluar, lokalizuar dhe identifikuar minat në mënyrë që marina e Ukrainës ta ketë mundur t’i neutralizojë”, ka shpjeguar Ministria Britanike e Mbrojtjes në njoftimin për shtyp që ka publikuar.

Sipas të njëjtit burim, dhjetëra anëtarë të marinës ukrainase do të trajnohen për përdorimin e këtyre dronëve gjatë muajve të ardhshëm, trajnimi për të parin tashmë ka filluar. Trajnimi për përdorimin e tyre do të bëhet nga personeli ushtarak britanik dhe amerikan.

Dhënia e kësaj ndihme ushtarake u njoftua pasi, gjithmonë sipas Ministrisë Britanike të Mbrojtjes, “Rusia po e kthen ushqimin në një armë duke shkatërruar bujqësinë ukrainase dhe duke vendosur një bllokadë në portet e Detit të Zi të vendit për të parandaluar eksportin e saj”.

Edhe pse disa anije mallrash që transportonin grurë kanë qenë në gjendje të largohen nga Ukraina sipas kushteve të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB-ja, eksportet e ushqimit po pengohen nga minat detare të vendosura nga forcat ruse përgjatë bregdetit, sipas Londrës.

Në maj, kryeministri britanik Boris Johnson njoftoi 300 milionë paund  ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën, pas një pakete të mëparshme prej 450 milionë paundësh. /abcnews.al