Mimi Kodheli dhe Jozefina Topalli bëjnë “fjalimet e jetës” dhe nuk janë aspak si ato që dëgjojmë në Parlament

schedule21:26 - 31 Mars, 2021

schedule 21:26 - 31 Mars, 2021

Mbrëmjen e sotme tek “E ardhmja është vajzë” në ABC nga Ermira Çausholli, ishin të ftuara Jozefina Topalli dhe Mimi Kodheli. Nuk jemi mësuar t’i shohim të ulura përballë njëra-tjetrës e të flasin për tema personale, andaj ky episod rezultoi të ishte një surprizë e vërtetë. Në rubrikën e re të programit “Fjalimi i jetës”, atyre iu kërkua te thoshin fjalën e tyre rreth tematikës së parë që do i kushtonin vëmendje nëse do ishin pjesë e parlamentit të ardhshëm.

Kodheli tha se do ribënte fjalimin e saj të parë politik, në të cilin ka përmendur amanetet e prindërve të saj. Dhe fjalimi i saj u mbështet në tri pika: Jeta, barazia dhe e ardhmja.

Jeta është gjëja më e çmuar ndaj dhe duhet luftuar fortë për ta mbrojtur. Ne që e falim jetën, nënat, e dinë fort mirë se ç’do të thotë të japësh jetë. Ndaj dhe në një periudhë të vështirë si kjo që po kalojmë shpresoj t’i kemi dhënë vlera më të mëdha jetës. Tjetër, është drejtësia. Mundësia për të qenë i barabartë mes të barabartëve. E mesmja e artë është një ekuilibër që duhet ta kemi brenda, ta përcjellim edhe jashtë. E treta, besoj se do flisja për të ardhmen. Ne ju kemi një borxh të madh të rinjve: të ardhmen. Duhet të bëjmë shumë ende.

Ndërkohë, edhe Topalli e bazoi fjalimin e saj te realiteti që po përballim prej një viti, pandemia. Ajo tha se do bënte cdo gjë që të sjellë stabilitet në jetën e qytetarëve dhe për të ndryshuar klasën politike.

“Jetojmë në kohë të pazakonshme. Fushata dhe politika është krejt e pazakontë. Gjëja e parë që do doja të bëja është të mobilizoja çdo gjë të mundur për të vënë nën kontroll pandeminë. E dyta është rishikimi i çdo gjëje në jetën politike dhe ekonomike. Do doja një parlament ku të mbizotëronte intelektuali, kryesisht të rinjtë. Duhet të bëjmë të mundur që ky vendi ynë mos të boshatiset më.

Fjalime të tilla janë padyshim emocionues e të rralla në Parlamentin shqiptar, ku në seancat parlamentare mbizotërojnë debatet e forta, mungesa e etikës dhe mungojnë shpesh fjalët e thëna me zemër./abcnews.al