Milani interesohet për Igli Taren

schedule15:50 - 15 Maj, 2019

schedule 15:50 - 15 Maj, 2019

Igli Tare mund të bëjë një tjetër hap të madh në karrierë. Mediat italiane njoftojnë se Milani po interesohet për drejtorin sportiv të Lacios.

Jo më kot vlerësohet si një nga më të mirët në Itali.

Igli Tare ka fituar edhe çmime për punën e tij si drejtori sportiv i Lacios, dhe duket se shqiptari mund të hedhë hapin tjetër të madh në karrierë.

Niveli i lartë profesional i 45-vjeçarit duket se ka tërhequr vëmendjen e një klubi të shquar si Milani, të paktën siç informojnë mediat italiane.

Tare jepet si kandidat për postin e drejtorit sportiv milanist, ndërsa konkurrenca mund të jetë e madhe, pasi pëlqehet edhe Luis Kampos i Lilës.

Shqiptari mund të zëvendësojë pra drejtorin e tanishëm sportiv, Leonardon, me brazilianin që gjithashtu bëhet përgjegjës për sezonin e vështirë që po kalon Milani, me kuqezinjtë që rrezikojnë të mos kualifikohen sërish për në Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm.

Presidenti Eliot është i vendosur për të bërë ndryshime dhe për ta kthyer skuadrën në lavdinë e dikurshme, ndërsa shefi i ri ekzekutiv, Gazidhis, i ardhur nga Arsenali, po mendon lëvizjet e duhura.

Tare ka kontratë afatgjatë me Lacion, pra nuk do të jetë aspak e lehtë që të largohet nga kryeqyteti, dhe po ashtu ka lidhje shumë të forta me presidentin e klubit, Klaudio Lotito.

Kjo, edhe pse kohët e fundit kanë pasur diferenca lidhur me transferimet e lojtarëve.

Nëse realizohet kalimi tek Milani, ky do të ishte një kulm në karrierë, për një njeri që e nisi jetën jashtë Shqipërisë si emigrant, për të kaluar nga Bundesliga gjermane drejt Italisë, si futbollist profesionist.

Pasi luajti me Fortunën e Dyseldorfit, pastaj me Breshën e Lacion në Itali, ai mbylli karrierën në 2008, duke u bërë menaxher I skuadrës dhe pastaj drejtor sportiv pikërisht tek lacialët.

Igli Tare vlerësohet si njeriu që stabilizoi financat e klubit me blerjet e tij të goditura, dhe ndihmoi që Lacio të luftojë për trofe dhe për të qenë çdo vit në kupat e Europës./ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!