Eksodi i prurjeve të reja gjatë merkatos së dimrit, si dhe emërimi i teknikut Mauricio Pochettino në krye të pankinës së Chelsea ka sjellë shitjen e shumë lojtarëve të cilët konsideroheshin dikur si e ardhmja e “bluve”.
Kësaj liste nuk i ka shpëtuar as anësori amerikan i sulmit, Christian Pulisic, i cili kërkohet nga ekipe si Milan, Juventus e Lyon, të paktën sipas raportimeve më të fundit nga prestigjiozja franceze, “L’Equipe”.
Për “të ardhmen” e tij ka folur dhe vetë lojtari, i cili për mediat e shprehu qartazi se dëshiron që të ketë minuta të sigurta loje në ekipin që do të zgjedhë për “aventurën” e radhës në karrierën e tij.
“Është absolutisht kjo kohë kur unë duhet të kuptoj se çfarë do të jetë më e mira për të ardhmen time. Dua të jem diku ku mund të shkoj dhe të luaj, të kem besim dhe të ndihem mirë për atë që po bëj”,- është shprehur Pulisic. /i.m /abcnews.al