Milan-Arsenal është dueli më i madh i turit të tretë në Ligën e Europës, pas shortit të hedhur në Nion të Zvicrës. Gjithsesi, favorite për të fituar trofeun cilësohet Atletiko e Madridit.
Këto ngjyra ishin harruar prej kohësh.
U desh të pritej shumë që Milani të kthehej një emër i rëndësishëm në kontinent edhe pse në kompeticionin numër 2, Ligën e Europës.
Gjithsesi, pas suksesit të lehtë ndaj Ludogorecit të Bullgarisë, shtatë herë kampionët e Europës duhet të bëjnë një sforco edhe më të madhe për të kaluar kundërshtarin e radhës, në të tetat e finaleve.
Goglat e shortit në Nion e vendosën përballë Arsenalit.
Edhe pse londinezët nuk janë në ditët e tyre më të mira, sërish cilësohen pak më shumë pretendentë sesa milanezët, ndërsa forca e tyre sulmuese nuk vihet në dyshim me Obamejangun apo Mkitarianin.
Dueli ka traditë edhe pse nuk quhet një klasike, me dy ekipet që janë ndeshur gjashtë herë.
Milani fitoi Superkupën e Europës ndaj Arsenalit në 1995, pastaj londinezët e eleminuan ekipin italian nga Championsi në 2008-ën, ndërsa në 2012, pati dy ndeshje të çmendura po në Champions, 4-0 për Milanin në “San Siro” e 3-0 për Arsenalin në “Emirejts”.
Sidoqoftë, favoriti për të fituar Ligën e Europës ndodhet në Spanjë.
Atletiko e Madridit vendoset e para nga parashikuesit në kompanitë e basteve, me skuadrën e trajnerit Diego Pablo Simeone që po paraqitet shumë mirë edhe në kampionat.
Njolla e vetme e sezonit, eleminimi nga Championsi, por që Atletiko do të përpiqet ta fshijë, duke nisur që nga përballja ndaj Lokomotivës së Moskës.
Moskovitët janë një nga tre përfaqësuesit e Rusisë në konkurrim, bashkë me Zenitin e Shën Petersburgut e CSKA-në e Moskës.
Me më shumë shanse për suksesin final duket Zeniti, me mjaft lojtarë cilësorë dhe me një trajner ambicioz në stol si Roberto Mançini.
Jo më kot, Zeniti është i vetmi ekip rus që ka fituar një trofe kontinental, Kupën UEFA, pra paraardhësen e Europa League-s, në vitin 2008.
Ndër 16 ekipet e kualifikuara për në turin e tretë mund të veçohet edhe një tjetër.
Lioni francez mund të mos jetë ndër pretendentët kryesorë, por ka një arsye më shumë për të pretenduar suksesin.
Finalja e Ligës së Europës këtë sezon do të luhet pikërisht në stadiumin e tij, “Grupama”, njohur ndryshe si “Parku Olimpik i Lionit”.
Formacioni trajnerit Bruno Zhenezio ka një detyrë të rëndësishme për të realizuar.
Katër herë, skuadrat franceze janë kualifikuar për në finalen e Kupës UEFA dhe të Ligës së Europës, dhe katër herë janë mundur.
Që nga Bastia në 1978 e mposhtur nga PSV Ajndhoveni, për të vazhduar me Bordonë e thyer nga Bajerni në 1996, Marsejën e mundur nga Parma në 1999 e për të përfunduar sërish me Marsejën që u dorëzua ndaj Valencias në 2004./abcnews.al