Mikhail Gorbachev e bëri Rusinë pothuajse demokratike

schedule12:34 - 2 Shtator, 2022

schedule 12:34 - 2 Shtator, 2022

Nga William Taubman “Wall Street Journal”

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mikhail Gorbachev, që vdiq të martën në moshën 91-vjeçare, e ndryshoi vendin e tij dhe botën, por jo aq sa do të donte. Në retrospektivë, dështimi i tij duket gati i pashmangshëm, por gjithsesi përpjekja e tij meriton të vlerësohet.

Studiuesi i ndjerë rus, Dmitry Furman, e cilësoi dikur “si të vetmin politikan në historinë ruse që, duke pasur pushtetin e plotë në duart e tij, vendosi vullnetarisht ta kufizojë, dhe madje rrezikoi ta humbasë, në emër të vlerave parimore morale”.

Kur u ngjit në krye të Bashkimit Sovjetik në vitin 1985, Gorbachev kishte një pushtet pothuajse të pakufizuar. Ai mund të kishte ruajtur për një kohë të pacaktuar statuskuonë që gjeti. Por në vend të kësaj, shkatërroi atë që kishte mbetur nga totalitarizmi sovjetik, lejoi lirinë e fjalës, tubimit dhe ndërgjegjes, për njerëzit që nuk i kishin njohur kurrë.

Po ashtu lejoi zgjedhje të lira dhe krijimin e institucione të mirëfillta parlamentare. Më shumë se kushdo tjetër, ishte ai që i dha fund Luftës së Ftohtë dhe e reduktoi rrezikun e një holokausti bërthamor. Ai e pranoi shpërbërjen e perandorisë sovjetike pa dhunën që shoqëroi rënien e shumicës së perandorive të tjera.

Ai ëndërronte një rend të ri botëror, të bazuar tek heqja dorë nga forca, dhe në të cilin do të zhdukeshin ndarjet midis Lindjes dhe Perëndimit. Gorbachev kishte me vete aleatë liberalë, derisa ata iu kthyen kundër. Po ashtu, kundërshtarët komunistë të linjës së ashpër, u përpoqën ta rrëzonin atë në gushtin e vitit 1991; si dhe rivalët personalë, ku mes tyre më kryesori ishte Boris Yeltsin.

Udhëheqësit perëndimorë dyshuan në fillim mbi Gorbachev. Më pas e përqafuan qasjen e tij, dhe në fund e braktisën. Por Gorbachev ishte unik si lider. Të vetmit anëtarë të Byrosë Politike që e mbështetën gati deri në fund – Alexander Yakovlev, Edçard Shevardnadze dhe Vadim Medvedev – ishin në gjendje ta bënin këtë vetëm sepse Gorbaçovi i emëroi ose i mbajti ata pranë, raporton abcnews.al.

Në fillim, Gorbachev kishte kundër shumë gjëra. Gjendja e dobët e ekonomisë sovjetike, i nxiti kolegët e tij në Kremlin që ta zgjidhnin atë si udhëheqës për të nisur reformat e nevojshme. Thellimi i Luftës së Ftohtë e bindi Kremlinin të lehtësonte tensionet me Perëndimin.

Kontrasti me tre paraardhësit e moshuar të Gorbachev, të cilët vdiqën në detyrë, e bëri udhëheqësin e ri të dukej më energjik dhe shumë në popullor me radhës e inteligjencës sovjetike, ushtrisë dhe KGB-në. Karakteri i tij e pajisi me vetitë e nevojshme për të pasur sukses.

Ai u rrit dikur në mesin e zisë së bukës, spastrimeve dhe luftës, e megjithatë i përballoi me vetëbesim, optimizëm dhe besim tek bashkëqytetarët e tij. Një politikan shumë i zgjuar, ai i bindi komunistët e vijës së ashpër që të dorëhiqen nga postet e tyre. Ndërkohë, i bindi liderët perëndimorë se ashtu siç tha Margaret Thatcher pas takimit me të në dhjetor 1984, ata mund të “merreshin vesh” me të, raporton abcnews.al.

Por ekonomia i rezistoi reformave të tij të hershme e të moderuara. Ajo u ngadalësua deri në stanjacion, ndërsa ai u përpoq ta ringjallte atë, dhe kërcënoi të binte nga pushteti nëse përpiqej të krijonte brenda natës një sistem të tregut të lirë (siç ndodhi kur Yelstin drejtoi terapinë e shokut në vitin 1992).

Pakënaqësitë e fshehta etnike dhe kombëtare në Bashkimin Sovjetik shumëkombësh, të cilat Gorbachev i injoroi për një kohë të gjatë, dhe më pas i trajtoi formalisht, shpërthyen kur ai lejoi fjalën e lirë dhe organizimin politik. Dyshimet e rrënjosura nuk e penguan Ronald Reagan t’i bashkohej përpjekjes së Gorbachev për të reduktuar armët bërthamore. Por e dekurajuan administratën e George H.Ç Bush, që t’i vazhdonte këto përpjekje.

Mbi të gjitha këto, Gorbachev rezultoi të ishte më pak i zoti në udhëheqjen e institucioneve demokratike, sesa të manovronte brenda burokracisë partiake. Në vend që të shpallte zgjedhjet për president në vitin 1990, ai preferoi të zgjidhej nga parlamenti i ri, duke i hequr vetes legjitimitetin popullor.

Pengesat për reformën buronin nga historia ruse: autoritarizmi carist që u shndërrua në një totalitarizëm sovjetik, bindje prej skllavi ndaj autoritetit, e shoqëruar herë pas here nga shpërthime të dhunës së përgjakshme, armiqësi e pa kompromis, asnjë traditë të vetë-organizimit demokratik, dhe një eksperiencë minimale me tregjet e lira, pa një sundim të vërtetë të ligjit.

Kritikët e Gorbachev në Bashkimin Sovjetik, u ankuan se ai “dëgjoi” dhe “ndryshoi mendjen” e njerëzve, dhe këto janë virtyte në një demokraci. Kur popullariteti i Yeltsin e tejkaloi atë të Gorbachev në fundin e vitit 1990, Gorbachev e krahasoi Yeltsin me një perandor: “Një Car duhet të sillet si një Car. Dhe unë nuk di si ta bëj këtë!”.

Përballë gjithë kësaj, befasia nuk është se Gorbachev nuk arriti të krijonte një demokraci ruse funksionale, por që përpjekja zgjati aq sa zgjati. Po kështu, modelet e krijuara prej kohësh të marrëdhënieve ndërkombëtare, i zbehën shpresat e tij për një rend të ri të pas Luftës së Ftohtë.

Ai donte që NATO të shndërrohej në një institucion rreptësisht politik, i zëvendësuar nga një arkitekturë e re sigurie pan-evropiane. Por Perëndimi këmbënguli në ruajtjen dhe zgjerimin e NATO-s, duke e zemëruar Moskën. Gorbachev ishte i lumtur kur hoqi dorë nga dominimi i Evropës Lindore, por shumica e rusëve mbetën të pakënaqur me humbjen e perandorisë dhe statusit të superfuqisë.

Përpjekjet e tij u dëmtuan edhe nga karakteri i Gorbachev. Vetëbesimi i madh e nxiti të nënvlerësonte armiqtë e tij. Ai i përçmoi pjesëtarët e linjës së ashpër në Byronë Politike si “njerëz thjesht me një botëkuptim të kufizuar”, që kishin nevojë për të më shumë sesa ai kishte për ta, raporton abcnews.al.

Sipas njërit prej ndihmësve të tij, Gorbachev “nuk e konsideronte Boris Yelstin një figurë të rëndësishme politike në skakierën politike sovjetike”, derisa ishte tepër vonë. Dhe nëse Gorbachev besonte se “populli” do të përqafonte vetëqeverisjen, ai u besoi gjithashtu ndihmësve dhe aleatëve që në fund e tradhtuan atë në gushtin e vitit 1991.

Gorbachev u përpoq ta shpëtonte Bashkimin Sovjetik, por përfundoi duke e shpejtuar shkatërrimin e tij. Kur në fundin e 1991-it u bë e qartë se projekti i tij i madh kishte dështuar, ai mund të kishte sulmuar, duke e mobilizuar ushtrinë për ta shpëtuar pushtetin e tij dhe atë që kishte mbetur nga BRSS, me rrezikun e shpërthimit të një lufte civile.

Por në vend të kësaj ai u tërhoq me dinjitet. Gorbachev la pas një trashëgimi të pasigurt. Rusia e ka braktisur rrugën e tij, dhe i është rikthyer normës së saj tradicionale autoritare dhe anti-perëndimore. Lufta e Ftohtë e dikurshme i ka lënë vendin një lufte të re të ftohtë dhe një lufte të nxehtë në Ukrainë.

Edhe vetë Gorbachev u bë më pesimist ndërsa po plakej. Në nëntorin e vitit 2003, ai tha se demokracia e plotë në Rusi mund të kërkojë “dekada”, apo ndoshta “gjithë shekullin XXI”. Por në dhjetorin e vitit 2011, mijëra demonstrues u derdhën në rrugët e Moskës për të protestuar kundër manipulimi të zgjedhjeve parlamentare nga Vladimir Putin, Gorbachev nisi të jetë sërish optimist.

Ai u gëzua që “një brez i ri”, një “lëvizje e fuqishme e bashkuar votuesish”, kishte ndjekur rrugën e nisur prej tij në vitin 1985: “Ne nuk mund të vazhdojmë të jetojmë kështu”. Një ditë Rusia mund të rifillojë rrugën e saj drejt demokracisë, dhe bota mund të gjejë rrugën e saj përtej Luftës së Ftohtë. Pavarësisht nëse kjo do të ndodhë apo se kur do të ndodhë, Gorbachev meriton të vlerësohet si udhëheqësi që ishte pjesë e krijimit të saj.

Shënim: Çilliam Taubman, profesor i shkencave politike në Kolegjin Amherst, dhe autor i librit “Gorbachev:Jeta dhe kohët e tij”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!