Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, gjatë vizitës në Korenë e Veriut, ka caktuar vendin dhe orën e takimit të shumëpritur mes Donald Trump dhe Kim Jong-un. Kjo është bërë e ditur nga Presidenti amerikan, i cili njoftoi se Pompeo po kthehet në SHBA bashkë me 3 të burgosurit e liruar nga Pheniani.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka kryer me sukses vizitën e tij të dytë në Korenë e Veriut. Kjo është bërë e ditur nga Presidenti Donald Trump me anë të disa mesazheve në profilin e tij në Twitter. Pompeo udhëtoi për në vendin komunist për të përmbyllur detajet e fundit të samitit të shumëpritur.
“Me shumë kënaqësi ju njoftoj se Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, po kthehet nga Koreja e Veriut me 3 zotërinj, të cilët duam t’i takojmë. Ata gëzojnë shëndet të plotë. Gjithashtu, një takim shumë i mirë është zhvilluar me Kim Jong-un. Data dhe vendi është caktuar. Sekretari Pompeo dhe ‘miqtë’ e tij do të zbresin në Bazën Ushtarake Andrews në orën 2:00 të mëngjesit të së enjtes. Unë do të jem aty për t’i përgëzuar. Jam shumë i emocionuar!”, shkruan Presidenti amerikan.
Në këtë mënyrë, Trump ka njoftuar se tashmë është çdo gjë gati për takimin e shumëpritur mes tij dhe liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un. Gjithashtu lirimi i 3 amerikanëve të burgosur shikohet si një shenjë e vullnetit të mirë nga Koreja komuniste. Këto zhvillime vijnë pas një samiti me Pekinit dhe Phenianit që u zhvillua sëfundmi. Gjatë një bisede me Presidentin e Kinës, Xi Jinping, lideri i Koresë së Veriut ka konfirmuar se në momentin, kur do të përfundojnë aktivitetet armiqësore dhe kërcënimet për sigurinë nuk do të ketë arsye për Korenë e Veriut që të jetë një shtet bërthamor.
Prej disa kohëve, Koreja e Veriut ka treguar dëshirë dhe vullnet për të normalizuar mardhëniet me SHBA-të dhe Jugun. Megjithatë paralajmëroi administratën Trump që të mos japë deklarata që nxisin konfliktin, pasi Pheniani nuk është në tryezën e bisedimeve për shkak të sanksioneve të ashpra./abcnews.al