Mik i Kosovës, ndahet nga jeta në moshën 98-vjeçare ish-kandidati për president në SHBA, Bob Dole

schedule18:30 - 5 Dhjetor, 2021

schedule 18:30 - 5 Dhjetor, 2021

Ish-senatori amerikan, Bob Dole, vdiq të dielën në moshën 98-vjeçare , njoftoi familja e tij.

“Senatori Robert Joseph Dole vdiq në gjumë, mëngjesin e sotëm”.

“Ai u ka shërbyer me besnikëri Shteteve të Bashkuara të Amerikës për 79 vjet”, tha familja e tij përmes një deklarate.

Në muajin shkurt të këtij viti, senatori Dole ka njoftuar se është diagnostikuar me kancer në mushkëri.

“Kam disa vështirësi përpara, por gjithashtu e di se iu bashkohem miliona amerikanëve që përballen me sfida të konsiderueshme shëndetësore”, ka thënë atëbotë Dole.

Ai ka kaluar një çerek shekulli në Senatin amerikan, ku, për disa vite, ka shërbyer si udhëheqës i shumicës.

Në vitin 1996 ka qenë kandidat i Partisë Republikane për president të SHBA-së.

Në vitin 1990, Dole ka udhëhequr një delegacion të SHBA-së në Kosovë, ndërsa në gusht të vitit 2020, për nder të angazhimit të tij për Kosovën, busti i tij është ​venodsur në Prishtinë.

Në atë kohë, përmes një video-mesazhi, Dole ka shprehur mirënjohjen për inaugurimin e bustit.

“Më vjen keq që nuk mund të jem me ju në inaugurimin e bustit, më kujton kohën e para 30 vjetëve. Tridhjetë vjet kemi punuar për të krijuar një shtet të fortë dhe shpresoj se do të vazhdoni të punoni për t’u bërë edhe më të fortë”, ka thënë Dole.

Në një postim në Twitter, më 30 gusht të vitit 2020, Dole ka shkruar:

“Tridhjetë vjet më parë, unë dhe kolegët e mi kemi udhëtuar për herë të parë në Prishtinë. Askush nga ne nuk mund ta dinte se ky do të ishte fillimi i një rrugëtimi drejt pavarësisë për popullin e Kosovës”.

Më 30 nëntor, Dole ka bërë postimin e fundit në Twitter për Kosovën, duke paralajmëruar një program të Institutit Dole për historinë e Kosovës.

“Zoti e bekoftë Amerikën dhe Zoti e bekoftë Kosovën”, ka shkruar Dole./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!