Mihaj “gradohet” kapiten/ Mbrojtësi i Kombëtares vlerësohet në elitën portugeze

schedule14:01 - 24 Shtator, 2024

schedule 14:01 - 24 Shtator, 2024

Nuk është ende i pari në listë, por këtë herë është graduar.

Enea Mihaj ka fituar të drejtën për të qenë kapiten i njërës prej skuadrave të elitës së futbollit portugez, Famalikaos.

Mbrojtësi 26-vjeçar i kombëtares e ka mbajtur shiritin për dy ndeshje radhazi, asaj kundër Zhil Visentes dhe Moreirenses.

Kjo, sepse kapiteni i parë i ekipit, qendërmbrojtësi brazilian, Risieli, është I dëmtuar, dhe pritet të mungojë edhe ca.

Mihaj ka tre sezone që luan tek Famalikao, që kur ekipi u ngjit në Ligën e Parë të Portugalisë, dhe ka qenë gjithmonë një futbollist i rëndësishëm.

Pasi u aktivizua për 25 ndeshje sezonin e parë, dhe 18 në të dytin për shkak edhe të dëmtimeve, ai e ka nisur shumë mirë edicionin e ri.

Ka qenë titullar në të gjashtë ndeshjet në kampionat, dhe ka humbur vetëm 32 minuta, duke shërbyer edhe një asist.

Ai deklaron për televizionin e klubit se Famalikao e ka potencialin për të fituar, madje për të ndaluar edhe ekipe të mëdhenj si Porto, Benfika apo Sporting, nëse tregon ambicien e duhur.

Mihaj, i lindur dhe i formuar si lojtar në Greqi, ka 19 ndeshje me kombëtaren, ku është aktivizuar më shumë në ndeshjet miqësore, si ndaj Italisë, Armenisë, Bullgarisë, Kilit, Suedisë, Lihtenshtajnit apo Azebajxhanit, ndërsa në Euro 2024 dhe në ndeshjet e Ligës së Kombeve ka qenë në stol.

Shpreson që të ketë minuta edhe në ndeshjet zyrtare për të./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!