Mezini në ABC: Sanatoriumi drejt ezaurimit, ushqimi i të sëmurëve të përcaktohet nga mjeku nutricionist

schedule12:23 - 11 Shkurt, 2021

schedule 12:23 - 11 Shkurt, 2021

Prej ditësh Ministria e Shëndetësisë ka raportuar shifra të larta të infeksioneve me koronavirus dhe pacientët që kanë humbur jetën.

Mjeku Arjan Mezini, foli në studion e ABC për situatën e pandemisë, riinfektimet duke u ndalur edhe tek procesi i vaksinave.

Gjatë intervistës me gazetaren Juli Xhokaxhi, mjeku bëri apel që qytetarët të tregohen të kujdesshëm dhe të mos marrin mjekime të shumta pa u konsultuar. Gjithashtu ai theksoi se antibiotikët  nuk parandalojnë virusin, por përkundrazi mund të sjellin edhe efekte negative.

“Këshilloj që në momentin që ka mungesë oksigjeni,pacientët të marrin trajtim spitalor. Kur kanë nevojë për pak oksigjen edhe mund ta konceptoj qëndrimin në shtëpi, por kur rritet kërkesa për oksigjen atëherë duhet të trajtohet në spital. Kjo sëmundje pikë kryesore ka mushkërinë, por edhe organet e tjera i prek”, u shpreh Mezini.

I pyetur në lidhje me arrestimet e fundit tek Sanatoriumi, Mezini u shpreh se kjo i ka prekur dhe ndikuar të gjithë pasi një veprim i 1-2 personave nuk përfaqëson të gjithë stafin e Sanatoriumit.

Mezini u ndal edhe tek ushqimi i të sëmurëve me koronavirus duke theksuar se kanë të njëjtin katering me Infektivin, i cili tani ka ndaluar futjen e ushqimeve nga familjarët për të sëmurët me koroavirus.

Mjeku pneukolog theksoi se të sëmurët ushqehen me të njëjtin ushqim pavarësisht sëmundjeve shoqëruese që kanë, gjë që s’duhet të ndodhë pasi duhet një mjek nutricionist që të përcaktojë ushqimin për kategoritë e pacientëve.

Ndër të tjera, Mezini theksoi se Sanatoriumi është drejt ezaurimit të tij sepse nga 220 vende që ka totalisht, gati 200 janë mbushur tashmë.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Sot në këtë fazë nuk po dëgjojmë për grip stinor, por të gjithë janë me korona?

Mezini: Deri tani nuk ka ndodhur distancimi i gripit dhe koronës, pra fokusi është te Covid-19 dhe shumë pak raste janë dëgjuar për gripin stinor.

Pyetje: I keni bërë të dyja dozat e vaksinës?

Mezini: Jo nuk i kam bërë sepse un e kam kaluar dhe i kam hapur radhën një kolegu që mund të jetë infektuar.

Rastet pozitivë edhe pas vaksinës?

Mezini: Vaksina nuk krijon 100% mbrojtje, por krijon kushte që të mos ketë forma të rënda.

Pyetje: Po shohim rritje të ri-infektimeve?

Mezini: Duhet të kuptojmë që ai që është infektuar në mënyrë natyrale krijon anti-korpe nëpërmjet dy rrugëve. Besoj që edhe riinfektimet do të jenë forma të lehta dhe duhet të jemi të qartë. Për imunitetin natyral është një garanci dhe antikorpet aty janë.

Pyetje: Sa besohet se do të zgjasë kjo situatë?

Mezini: Nuk e di për Shqipëri sepse jemi vonë për vaksinat, por besoj se nëse ritmi i vaksinës është me ritme të larta në botë atëherë vera mund të na gjejë pak më të qetë.  Tek ne po shkohet me ritme të shpejta tek imunizimi i masës.  Sa i përket masave nga qeveria pres shumë më tepër, jo me fushata që nis dhe rikthehemi po në pikën zero.

Gjatë bisedës në studio Mezini theksoi se antibiotikët jo vetëm që nuk ndihmojnë por mund të bëhen edhe të dëmshme.

Gjithashtu ai tha se qytetarët duhet të qartësohen që është virozë, nuk ka gjë që e parandalon, mjekimi fillon kur kemi komplikacione.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!