Metani takon ambasadoren e BE: Reforma në drejtësi si fuqi transformuese për Shqipërinë drejt vlerave dhe standardeve evropiane

schedule18:46 - 4 Tetor, 2022

schedule 18:46 - 4 Tetor, 2022

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani priti në një takim pune ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri,  Christiane Hohmann.

Duke e uruar për detyrën në vendin tonë, Metani vlerësoi ndihmën e dhënë nga Bashkimi Evropian për Zyrën e ILD-së, si asistencën teknike përmes misionit EURALIUS V, për konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, ashtu edhe rritjen e kapaciteteve përmes CEPEJ, programit për Forcimin e Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Shqipëri.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë,  Metani i bëri një prezantim të punës e rezultateve të zyrës së ILD-së në këto 2 vite e gjysmë, duke nënvizuar se në punën e saj për verifikimin e shkeljeve disiplinore të magjistratëve, ILD-ja udhëhiqet nga parimi i ruajtjes së balancës mes interesit publik për administrimin e drejtësisë nga njëra anë dhe pavarësisë së magjistratëve nga ana tjetër.

Ambasadorja  Hohmann vlerësoi rezultatet e arritura nga ILD në dy vite dhe theksoi se Bashkimi Europian do vazhdojë të mbështesë institucionet e drejtësisë në Shqipëri.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Metani dhe ambasadorja e BE-së, Hohmann bashkëndanë mendimin se fuqia transformuese e reformës në drejtësi do ndikojë edhe tek mentaliteti shoqëror dhe se procesi i negocimit për anëtarësim nuk do jetë thjesht një proces monitorimi, por bashkëpunimi për zhvillimin, konsolidimin dhe afrimin e Shqipërisë tek vlerat e standardet europiane./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!