Metani kërkon shkarkimin e gjyqtares Enkeleda Hoxha, KLGJ vendos më 17 mars

schedule11:21 - 11 Mars, 2021

schedule 11:21 - 11 Mars, 2021

Ish gjyqtarja e Krujës, Enkeleda Hoxha u përball sërish këtë të enjte me Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë për të mësuar nëse KLGJ do ta shkarkojë ose jo nga detyra.

Nëpërmjet avokatit të saj mbrojtës, Ardian Vishës, gjyqtarja Hoxha kërkoi që të ketë një masë më të butë dhe jo shkarkim. Visha tha se një gjyqtar nuk mund të hiqet për një kauzë. Sipas tij, çështja e gjyqtares Hoxha është politike. Më herët, Visha ka deklaruar se për rastin e uljes së dënimit të Hekuran Billës, i vrarë muaj më parë në zonën e Komunës së Parisit, ka shkelje në llogaritjen e dënimit.

Nga ana tjetër, kreu i ILD-së, Artur Metani i qëndroi sërish kërkesës së bërë që në krye të herës, për shkarkim nga detyra të Enkeleida Hoxhës.

Në parashtrimin e argumenteve të tij, Metani ka deklaruar se gjyqtarja Hoxha ka kryer shkelje në 5 procese gjyqësore, në të cilat ka mungesë thelbësore në arsyetim të vendimeve.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të të dyja palëve, Këshilli i Lartë Gjyqësor u tërhoq për vendim, i cili do të shpallet më datë 17 Mars në orën 10. Me urdhër të SPAK, Enkeleida Hoxha u arrestua bashkë me 9 persona të tjerë më 11 shkurt me akuzën e korrupsionit. Ata akuzohen se kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale kundrejt parave. /abcnews.al/