‘Metamorfoza’ në burg/ Apeli i GJKKO lë në fuqi masat e sigurisë për 6 të arrestuarit

schedule10:20 - 31 Gusht, 2023

schedule 10:20 - 31 Gusht, 2023

Apeli i Posaçëm ka miratuar masat e arrestit me burg për 6 të arrestuarit e operacionit ‘Metamorfoza’. Biznesmeni Pëllumb Gjoka, prokurori Xhevahir Lita, ish shefi i Operacionales, Oltion Bistri, ish efektivi Ardit Hasanbegaj, Asmer Bilali e Edmond Preka do të vijojnë në burg të paktën deri në përfundim të hetimeve.

Gazetari Ermal Vija raporton se ndaj ish shefit të Operacionales, i arrestuar për shpërdorim detyre dhe nxjerrje të sekretit hetimor, gjykata ka vendosur mospranim të ankimimit me pretendimin se nuk është bërë në kohë. Avokati i tij mbrojtës, Bledar Meminaj thotë se kjo është bërë në shkelje të ligjit.

“Është bërë e udhës që gjykata e Apelit, dhe gjyqtarja Saida Dollani, si një gjyqtare monokrate ka disa praktika që janë hedhur poshtë nga Gjykata e Lartë, ku interpreton në mënyrë jo të rregullt dispozitën ligjore sa i përket afateve të ankimit dhe i mohon të drejtën palëve për t’u ankuar në një gjykatë më të lartë, që është një e drejtë procedurale dhe është një shkelje flagrante.”, tha avokati.

Ai thotë se do t’i drejtohen me një kërkesë KLGJ-së dhe ILD-së për këtë shkelje.

Kujtojmë që nga hetimet për këtë dosje, janë shpallur në kërkim dhe 9 persona të tjerë, mes të cilëve Behar Bajri dhe Ervis Martinaj. SPAK finalizoi dhe lëshoi 15 urdhër arreste për këtë operacion pas zbërthimit të aplikacionit SKY. Ndaj tyre rëndojnë 12 vepra penale, nga ajo e “Vrasjes me paramendim”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Korrupsion i zyrtarëve të lartë shtetëror” deri në “Shpërdorim detyre” e “Pastrim parash”.

Hetimet nisën në 2019 pas informacioneve të përcjella nga autoritetet holandeze, belge dhe ato franceze që kanë mundur të sigurojnë komunikime mes anëtarëve të grupit ne rrjetin “Enchro Chat” dhe “SKY”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!