Metamorfoza e krimit dhe antikrimit/ Efektivë, drejtues policie e prokurorë në shërbim të grupit “Bajri”

schedule20:48 - 17 Shtator, 2023

schedule 20:48 - 17 Shtator, 2023

 Fushëbeteja e luftës mes të mirës dhe të keqes, mund të shndërrohet shumë lehtë në një fushë bashkëpunimi. Një bashkëpunim që kthehet në një makinë korrupsioni dhe ha koka edhe nga e mira edhe nga e keqja, duke lejuar kështu që të rritet një e keqe akoma më e madhe.

Ata e nisën marshimin e tyre drejt rrugës së ligjit në krahun e të mirës. Drejtues policie, efektiv të thjeshtë, apo edhe prokuror, me shumë gjasë në nisje të detyrës, nuk e kishin menduar se sa shumë do t’i ngjanin armikut të tyre.

Ata shkuan edhe më tej, teksa në kulmin e luftimeve, në fushëbetejë, të kamufluar, punuan për të dhe u bënë pjesë e tij, madje shpeshherë edhe duke iu vetëofruar. Po flasim për dosjen “Metamorofoza”, e hetuar nga SPAK që prej janarit 2023 dhe që nëpërmjet dhjetëra biseda të siguruara nga thyerja e rrjeteve të komunikimit të enkriptuara të aplikacionit “Sky”, nxori lidhjen e ngushtë të krimit me antikrimin.

Në majë të piramidës qëndron biznesmeni 49-vjeçar Pëllumb Gjoka me lidhje të forta, tashmë të konstatuara nga SPAK.

Ai ka një status që këtu e respektojnë të gjithë. Njihet gjerësisht si biznesmen. Është ndërtues, pronar resortesh në bregdet e kazinosh. Është përfolur edhe për trafik droge e lidhje me krimin. Por ajo që tashmë duket se është thuajse e provuar nga SPAK në një dosje voluminoze, janë lidhjet e tij të forta me ata që supozohet të jenë zbatuesit më të devotshëm të ligjit. Megjithatë në këtë rast janë shkelësit më të fortë të tij.

Ky është Pëllumb Gjoka. Biznesmeni nga Shkodra që me një kërcitje gishti arrinte të kishte gjithçka që donte. Duke filluar nga kriminelët që kishte në dispozicion, që ishte investuar t’i nxirrte edhe nga burgu e deri tek shefat e policisë e prokurorët. Të paktën për kaq ka të dhëna deri tani SPAK. Pa llogaritur sa gjyqtarë e prokurorë të tjerë mund t’i kenë shërbyer atij të paktën për një rast, atë të përvetësimit me dokumente false, të një prone prej 39 hektarësh në Velipojë.

Në dosjen e SPAK theksohet se është regjistruar procedim penal pas një kallëzimi të mbërritur aty në rrugë postare me 16 janar të vitit 2023, nga Lulë Zefi dhe djali i saj Donal Zefi. Në fakt ky nuk ishte kallëzimi i parë që ata bënin. Por pasi kishin dështuar kudo, vendosën t’i drejtohen edhe Prokurorisë së Posaçme.

Në materialin e dërguar ata pretendojnë se janë trashëgimtarë të shtetases Drande Hotaj, e cila është halla e Pëllumb Gjokës dhe se pasuritë e paluajtshme të saj, një sipërfaqe prej 39 hektarësh në fshatin Pulaj të Velipojës, janë tjetërsuar dhe marrë në mënyrë të paligjshme. Ata denoncojnë Pëllumb Gjokën dhe disa persona të tjerë. Mbi bazën e këtij kallëzimi SPAK regjistroi procedimin për veprat penale “Falsifikim të dokumenteve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Lulë Zefi dhe i biri , Donaldi, kushërinj të biznesmenit, e akuzuan se u kishte rrëmbyer pronën. Më herët e kishin kallëzuar edhe në Prokurorinë e Shkodrës, por pa arritur asgjë. Ata kishin këmbëngulur vazhdimisht se Drande Hotaj nuk kishte firmosur asnjë akt dhurimi dhe se ajo rezultonte pronare e tokës që prej vitit 1938. Megjithatë dy prokurorë të Shkodrës pushuan çështjen.

Në këto kushte Lulë Zefi i drejtohet edhe Gjykatës së Lartë, ku kërkonte pavlefshmëri absolute të aktit të dhurimit të tokave të nënës së saj të ndjerë. “Kontrata e dhurimit datë 29 gusht 2017, mes Drande Hotaj dhe shtetasit Kolë Gjoka, është e pavlefshme pasi është lidhur në kushtet e mungesës së vullnetit nga shtetasja Drande Hotaj, e cila është 86 vjeç, nuk di të shkruajë e as të lexojë, se ne momentin e nënshkrimit të saj ka qenë e pandërgjegjshme për rëndësinë e veprimeve të saj edhe pse nuk i është hequr zotësia për të vepruar. Gjithashtu Drande Hotaj e ka kryer veprimin juridik për shkak të kanosjes së ushtruar nga shtetasi Pëllumb Gjoka, i biri i Kolë Gjoka”, shkruhet në vendimin e Gjykatës së Lartë, që mban datën 21 shkurt 2022. Por familja humbi sërish dhe vendosi t’i drejtohej SPAK-ut me postë.

Kur denoncimi i tyre ishte ende nën verifikim, Europol përcjell informacione për 7 shtetas shqiptarë që përdornin aplikacionin “SKY”. Ata po hetoheshin për trafik kokaine nga Amerika e Jugut drejt porteve më të mëdha europiane. Për të zbërthyer bisedat e tyre në “SKY” hyjnë në lojë autoritetet franceze që zbulojnë gjithçka dhe ia dorëzojnë autoriteteve shqiptare. Në këto biseda, përveç krimeve të rënda të kryera nga një grup i strukturuar kriminal, del në skenë edhe tjetërsimi i sipërfaqes së tokës në bregdet duke përdorur dokumente shtetërore të falsifikuara.  E në këtë skemë duket se një rol thelbësor ka pasur prokurori Xhevahir Lita.

Sipas komunikimeve në “SKY” që tashmë ka në dorë SPAK, rezulton që prokurori Lita, përveç ndërhyrjeve për të liruar nga burgu Behar Bajrin, ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në pushimin e dosjes së tjetërsimit të pronës në Velipojë. Lita, bashkë me prokurorin Gëzim Spahiu, kanë pasur në dorë dosjen e pronës. Ndonëse prokurori Spahiu ishte angazhuar maksimalisht për të hetuar deri në fund këtë çështje, me ndërhyrjen e Xhevahir Litës, që në atë kohë ishte bërë zv.drejtues i Prokurorisë së Shkodrës, nuk mundi ta çonte dot deri në fund këtë hetim. Të dy prokurorët kishin shumë debate në lidhje me këtë dosje, kjo për shkak të avancimit të hetimeve nga ana e prokurorit Spahiu. Por gjatë kësaj faze Xhevahir Lita ka pasur biseda të vazhdueshme me Pëllumb Gjokën, që ishte palë e paditur. Ai i kërkonte vazhdimisht informacione Litës së kush do të pyetej në lidhje me çështjeN, çfarë veprimesh do të kryheshin por edhe në lidhje me ekspertimet grafike të firmave në dokumente.

Mesazhet:

Pëllumb Gjoka: “Jë bërë mendjemadh tash që u bane zv.prokuror…”

Xhevahir Lita: “Për atë letrën po merrem, se atij tjetrit i ka thënë dhe një tjetër. Po do e zgjidh pa merak…”

Në dosje, SPAK saktëson se Gjoka dhe Lita komunikojnë në lidhje me ekspertët e Policisë Shkencore me qëllim që t’i orientonin për aktet e ekspertimit që do të kryenin, më qëllim që konkluzionet të dilnin ashtu siç i kërkonin prokurori dhe biznesmeni.

Xhevahir Lita: “ Shih se ndoshta ka bërë një vendim për kryerjen e ekspertimit. Takova dhe Valbonën dhe më tha se ka marrë mostra për t’i dërguar për ekspertim. Unë jam i bindur por më tha thuaj Pëllumbit të kapë dikë që të dalë tamam. Po edhe këtij aktit të ekspertimit bjeri mbrapa që të qepet mirë si dosje se ai kolegu im fillon bën …”

Pëllumb Gjoka: “Kërkoja nesër për ta mbyll se edhe një kafe të duhet ty. Se ta kam bërë telefon 300 herë. Mik me ke dhe të kam, po çdo gja ka lezetin e vet. Më shkon mua se kafja është bereqet. Kështu që kujtohu nesër t’i japësh drejtim…”

Xhevahir Lita: “I kam marrë përgjigjet, i kam fotokopjuar po kam harruar t’i marr në Tiranë që t’i tregoj. Të bëjnë dhe këtë ekspertim, të dalë që ka firmosur Dranja te prokura dhe pastaj le të hajë një m… ai kolegu im”.

Prokurori Lita orienton Pëllumb Gjokën se në shkurt të vitit 2021 do të dërgojë oficerin Çlirim Halili për të pyetur hallën e tij, Drande Hotajn. I pranishëm gjatë marrjes në pyetje të të moshuarës ka qenë edhe Enea Hoti. Në dosje thuhet se Drande Hotaj, halla e Pëllumb Gjokës nga Malësia e Madhe, ka përfituar një tokë në Pulaj të Velipojës, me sipërfaqe 39 hektarë. Dyshimet lidhen me faktin se për kërkesat e paraqitura pranë organeve shtetërore, të bëra nga Ardian Beci, një person i autorizuar me prokure nga Drabde Hotaj, janë përdorur dokumente të falsifikuara, me qëllim marrjen e kësaj prone.

Beci ka paraqitur kërkesën pranë Agjencisë se Kthim Kompensimit Pronave në Tiranë për kthimin e sipërfaqes 39 hektarë tokë, por kjo kërkesë është refuzuar për shkak se dokumentacioni nuk ishte i plotë. Më pas çështja ka kaluar në gjykatë, e cila vendosi kthimin e tokës të moshuarës. Pas fitimit të pronësisë, e moshuara pretendohet se ka bërë një testament duke dhuruar tokën. Por në fakt rezulton të jetë përdorur si trampolinë për të fituar pronësinë e më pas e kanë nxjerrë jashtë loje.

Sipas dëshmisë  së vajzës së të ndjerës, Drande Hotaj, ajo dyshon se janë falsifikuar 3 dokumente. Është falsifikuar prokura e shtetasit Ardian Beci, njëkohësisht edhe testamenti i nënës së saj. Pjese e dosjes është edhe dëshmia e prokurores Tatjana Leçaj, emri i të cilës figuron te vërtetimi hipotekor i vitit 1997. Ajo ka dëshmuar se nuk e ka firmosur asnjë dokument hipotekor, për më tepër në këtë periudhë ajo nuk punonte në hipotekën e Shkodrës, por në Prokurorinë e Tiranës.

Të bindur që aplikacioni ku i shkruanin mesazhe njëri-tjetrit nuk mund të përgjohej dhe as të zbulohej, Pëllumb Gjoka, Behar Bajri dhe gjithë anëtarët e tjerë të grupit flisnin hapur dhe lirshëm për gjithçka. Përveç krimeve që kishin kryer e do kryenin, ata flisnin për njohjet e tyre në Polici. Tregonin se kush njihte shefin e Komisariatit e kush nëndrejtorin e Policisë. Dikush njihte shefin Kundër Krimit të Organizuar dhe për rrjedhojë informacionin e kishte 100 % të saktë. Në periudhën që i referohen hetimet e SPAK, pra vitit 2020, ata bisedonin me njëri-tjetrin rreth veprimeve që kryente Policia. Dinin çdo lëvizje të tyre. Madje edhe kur grupe vëzhgimi nga sektorë që ata nuk kishin njohje zbarkonin në qytet, ata i kërkonin llogari shefit që njihnin se përse nuk i kishte vënë në dijeni. I kërkonin informacion. Prej tyre mësonin destinacionin e hasmit. Disa shefa Policie vinin numra në përgjim vetëm në funksion të këtij grupi, për t’i servirur personin që ata kërkon për ta vrarë.

 Ata ishin “shefa” dhe trajtonin si vartës nëndrejtorin e Policisë. “Thirre, shaje fort”. Këto në drejtim të një oficeri të lartë Policie, që supozohej të kishte nën kontroll krimin por në fakt jepte llogari para tij.

Të paktën deri tani, nga mesazhet e çkoduara, rezultojnë të kenë bashkëpunuar me këtë grup kriminal, edhe pse në forma të ndryshme e për qëllime të ndryshme: ish-shefi i Operacionales, Oltion Bistri, i cili në kohën që i referohen hetimet, ka qenë shef i Komisariatit nr.2 në Tiranë dhe akuzohet për nxjerrje të sekretit hetimor; Ardrit Hasanbegaj, ish-shefi i Krimeve në Shkodër, i akuzuar për sigurim të kushteve e mjeteve për të kryer vrasje.

Megjithatë, në dosje dalin edhe emra drejtuesish të lartë Policie dhe oficerësh, që janë në fazë verifikimesh. Siç përmendet në disa komunikime emri i Rebani Jaupajt, në atë kohë drejtor i Policisë së Tiranës, apo edhe emri i Ardi Veliut, që ishte drejtor i Përgjithshëm i Policisë. Por se sa të përfshirë kanë që ata apo edhe të tjerë në këtë histori, i mbetet SPAK për ta zbuluar e provuar.

Në vitin 2020, kohë kur Policia kishte nisur një operacion të koduar “Fati i lojërave”, që synonte goditjen e ambienteve ku ushtrohej aktiviteti i paligjshëm i lojërave të fatit, Pëllumb Gjoka e vijonte këtë biznes me ndihmën e Oltion Bistrit. Në atë kohë ai ishte shef i Komisariatit nr.2 dhe e informonte Gjokën për të gjitha lëvizjet e Policisë.

Në disa prej bisedave të dala nga dosja, ku Gjoka dhe Bistri komunikonin në “Sky”, duket se Oltion Bistri shërbente si informatori i biznesmenit për gjithçka që ndodhte të Policinë e Shtetit. Jo vetëm për favoret që i kërkonte Gjoka, por edhe i vetëofrohej duke i përcjellë informacione që ai nuk ia kërkonte. Sipas mesazheve që dërgonte Bistri, rezulton se për kazinonë e Pëllumb Gjokës ishte ankuar vetë ministri i Brendshëm i asaj kohe, Sandër Lleshi.

Meshazhet:

Oltion Bistri: Ai tek Xhevo kishte thënë, ka 25 kompjutera dhe një rulet! Ju kish thënë do e filmoj t’jua sjell edhe dua 1 milion lek për informacionin. E gjen dot cili është? S’ma tha drejtori. Se ai ma tha para se të ikja, kish merak, e para se të ikja në Gjermani më takoi. Duhet kujdes pak se drejtori është trembur. I thashë për njërin që donte të fuste tre cope dhe kishte frikë.

Oltion Bistri: S’bëhet ajo që pyeta, ç’a t’i them unë. I thash do marrësh kafen. Se i kanë vajt shumë e i thonë Olti i mban në mes të Tiranës. Se unë i … motrën.

Oltion Bistri: Kanë hap një hetim për një tavolinë ata. Jo për mua, po mos e bëj muhabet.

Oltion Bistri: Rebo (Rebani Jaupaj) shumë i trembur. Pa roje te dera ta flas, me roje aty, jo.

Oltion Bistri: Ka qenë qetë kaq kohë. Sot nga ora 7, pati nja dy telelefonata, ka kazino, rulet, etj. Por s’ka problem se i thashë çunave e bënë sikur erdhën dhe nuk konstatuan gjë.

Oltion Bistri: S’do as Ardi (Ardi Veliu) se i thashë. Bile dhe për këtë më çau … I thashë e lë punën e s’e heq se i kam dhënë llafin.

Oltion Bistri:  Nesër mos e hap këto dy tre ditë. Mos i thuaj njeriu. Po dy tre ditë. Nesër ka aksion nga operacionalja në zonën time. Të lutem mos e diskuto me asnjë se më prish punë shumë. Po mora vesh që do të vijnë aty tek ty do të them vetë. Mirë është mos të jetë i hapur.

Oltion Bistri: Nesër në darke mbylle, ose me saktë nesër në darkë do bëhen kontrollet.

Oltion Bistri: Tani do fillojë për pak, ik futu gjëkundi se s’i dihet, mos rri në qarkullim e fike telefonin. Po kot mo s’i dihet. S’e di. Akoma s’na i kanë sjellë emrat dhe vendet. Drejtori tha do e heq piken nga lista. Jo. E din Rebua (Rebani Jaupaj) vetë s’ka nevojë.

Personazhi më gjakftohtë dhe më i rrezikshëm i dosjes “Metamorfoza” shfaqet Behar Bajri. I akuzuar ndër vite për krime shumë të rënda, herë të provuara e më pas të rrëzuara e herë me hetime të pushuara, bisedat në “SKY” dëshmojnë qartë se sa me lehtësi mund të organizojë ai një vrasje. Ai ka të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të vrarë një njeri. Ka njerëzit e duhur, mund t’i gjejë shqiptarë por edhe të huaj. Ka makinat, armët dhe gjithçka. Por më e rëndësishmja, ka lidhjet e duhura në Polici madje dhe Prokurori. Ka mundësinë që ta bëjë vrasjen dhe fajin t’ia hedhë rivalit, madje në mënyrën më publike të mundshme.

Por për të bërë të gjitha këto, fillimisht i duhej të dilte nga burgu. E për këtë i vinte në ndihmë miku i tij Pëllumb Gjoka dhe prokurori Xhevahir Lita.

Më datë 18 korrik 2023 janë regjistruar emrat e personave nën hetim:

Behar Bajri, Ervis Martinaj, Pëllumb Gjoka, Denis Bajri, Edmond Preka, Klodor Haka, Prekë Kodra, Astmer Bilali, Aleks Ndreka, Bardhyl Mavraj, Eljon Hato, Arsad Bashli, Ardrit Hasanbegaj, Oltion Bistri, Xhevahir Lita, Nuredin Dumani.

Ndërkohë më herët, një tjetër kallëzim ishte dërguar në SPAK në rrugë postare për biznesmenin Pëllumb Gjoka. Ai akuzohet se ka tjetërsuar dhe marrë në mënyrë të paligjshme, një sipërfaqe prej 39 hektarësh në Velipojë.

Tashmë të dy këto procedime janë bashkuar në një dhe po hetohen nga Prokuroria e Posaçme, bashkë me krimet e ideuara, të realizuara e të dështuara nga grupi “Metamorfoza”. Gjithçka nis me lirimin nga burgu të Behar Bajrit, i akuzuar për disa krime të rënda.

Në dhjetor të vitit 2020, Gjykata e Shkallës se Parë në Shkodër ka përfunduar gjykimin e grupit “Bajri”. Edhe pse 9 të akuzuarit kishin marrë nga një dënim, gjashtë prej tyre nuk bënë burg, pasi e kanë shlyer gjatë kohës së paraburgimit.

Gjykata i dha fund shqyrtimit gjyqësor të një prej dosjeve më të përfolura dhe të trumbetuara me aq bujë në vjeshtën e vitit 2018, si një nga operacionet e para të Forcës së Ligjit, të koduar “Oaz”. Behar Bajri u dënua vetëm me 3 muaj burg për veprën penale “organizim i paligjshëm i lotarive sportive” por në zbatim në aplikim të gjykimit të shkurtuar por edhe paraburgimit për afro 2 vite, Behar Bajri  iu kthye lirisë. Safet Bajri u dënua me 3 vite e 9 muaj e me gjykim të shkurtuar u dënua përfundimisht me 2 vite e 6 muaj burgim, që e kishte shlyer me kohën e paraburgimit. Megjithatë ai qëndroi në burg edhe për pak kohë për shkak të dënimit që kishte marrë në Belgjikë. Në këtë formë u liruan njëri pas tjetrit të gjithë anëtarët e grupit “Bajri.

Gjykata e Shkodrës kishte vendosur më parë edhe shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg” për Behar Bajrin, i dyshuar për “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Vrasje me dashje” kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”. E po ashtu, masa ishte shuar edhe për dy vrasje për të cilat ai ishte akuzuar. Të gjithë këta persona ishin arrestuar plot bujë gjatë operacionit “Oaz”, duke u akuzuar si “grup i strukturuar kriminal”. Pas krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë, dosja shkoi te SPAK, por ky institucion shpalli moskompetencën, duke e dërguar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër dhe duke bërë që automatikisht të bjerë akuza e grupit të strukturuar kriminal. Në këtë formë u shfry dosja më e bujshme e vitit 2018. Por prapaskenat e mbylljes së kësaj dosje në këtë formë, konkretisht lirimi i Behar Bajrit, doli në skenë gjatë operacionit “Metamorfoza”.

Në dosjen e SPAK zbardhen bisedat e prokurorit Xhevahir Lita, i cili gjatë kohës që ka qenë me detyrë në prokurorinë e Shkodrës ka ndihmuar Behar Bajrin për ta liruar nga paraburgimi, në këmbim të përfitimit të paligjshëm të shumave monetare.

Më 14 shkurt 2020 Prokuroria e Shkodrës regjistroi procedim penal ndaj Behar Bajrit dhe 12  anëtarëve të grupit të tij pasi SPAK shpalli mos kompetencë. Ndaj grupit Bajri kishte rënë akuza e “grupit të strukturuar kriminal” por rëndonin 9 akuza të tjera, nga vrasje me dashje në organizim të lotarive të palejuara, apo shtrëngim me anë të kanosjes

Ndërkohë Behar Bajri nga qelia e paraburgimit “Jordan Misja” në Tiranë përmes aplikacionit “Sky” komunikonte me Pëllumb Gjokën dhe i kërkonte që të dalë sa më shpejt nga paraburgimi. Madje ishte gati të ofronte shuma të mëdha parash në këmbim të zbutjes së masës së sigurisë. Në bisedat mes prokurorit Xhevahi Lita dhe Pëllumb Gjokës, Behar Bajrit i referohen me nofkat ‘daci’ apo ‘lopata”. Ndërkohë që ky i fundit nga paraburgimi i 313 komunikonte në aplikacionin “Sky” përmes një telefoni tjetër që nuk ishte i tij.

Në dosjen e SPAK thuhet se pasi është kontaktuar nga Pëllumb Gjoka, prokurori Lita ka ndërmarrë veprimet aktive duke përdorur kompetencat që  i jep ligji duke ndikuar dhe krijuar të gjitha mundësitë për lirimin e Behar Bajrit. Më 29 qershor 2020 Gjykata e Shkodrës ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “detyrim me paraqitje në policinë gjyqësore”. Pas kësaj date, më 30 qershor Xhevahir Lita kontakton drejtpërdrejt me Behar Bajrin.

Mesazhet:

Më 10 shkurt 2020  Behar Bajri komunikon me Pëllumb Gjokën dhe i thotë se do ishte mirë që dosja të hetohej nga “Xhevi” ku i referohet Xhevahir Litës dhe se është i gatshëm të paguajë lidhur me zgjidhjen e çështjes për lirimin e tij nga paraburgimi.

Behar Bajri: “Me marrë Xhevi ishte me ken ma mirë, 30 afroji”. “Veç të kryjmë punë… Mezi pres me dal.. Se kaq mllef kam…. Aj shoku m’tha për nji javë po t’i nap po ndaq mas mem shtrëngu në fund të muajit po ti jap 300… Për ca të jetë me pagu paguaj.. Po për punë të vëllasë ç’a flitet andej.. për vëllanë tim në Itali?”

Në bisedat mes Behar Bajrit dhe prokurorit Lita nuk mungojnë as kërcënimet. Në një rast Bajri e porosit Xhevahir Litën që t’i dërgojë një mesazh gjyqtarit të çështjes. “Unë në mal e ti në vorr…” A mund të kërcënojë dikush më hapur se kaq?

SPAK thotë se personi nën hetim, Xhevahir Lita, me detyrë prokuror në Prokurorinë e Shkodrës, në këmbim të përfitimit të paligjshëm të shumave monetare, me qellim zëvendësimin e masës së sigurimit të Behar Bajri, duke kryer veprime hetimore dhe drejtuar kërkesa gjykatës dhe mos vlerësuar objektivisht rrethanat, ka konsumuar elementë të veprës penale “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Dyshohet se si pasojë e veprimeve të Xhavahir Litës është bërë i mundur lirimi i Behar Bajrit, i cili pas daljes nga paraburgimi dyshohet se ka kryer vrasjen e shtetasit Gjin Ndoji, më 9 gusht 2020.

 Në dosjen e SPAK, ai që shfaqet në rolin më aktiv duke u shërbyer me informacion dhe gjithçka tjetër grupi Bajri e biznesmenit Pëllumb Gjoka, është ish-shefi i Krimeve të Shkodrës Ardrit Hasanbegaj. Nga bisedat e zbardhura në dosjen “Metamorfoza”, rezulton se Hasanbegaj nuk ka shpërdoruar thjesht detyrën por ka ndihmuar për realizimin e vrasjeve nga grupi që ai i shërbente.

Nga dosja hetimore e SPAK duket qartë se oficerë të Policisë së Shkodrës, si edhe prokurorë e gjyqtarë ishin vënë në shërbim të bandave duke shërbyer si informatorë për lëvizjen e kundërshtarëve të tyre dhe në rast të arrestoheshin apo kapeshin nga kamerat në atentate, si persona që i lehtësonin përballë ligjit.

SPAK ka vërtetuar se prokurori Xhevahir Lita është shërbëtor i Bajrajve, po ashtu si edhe shefi i Krimeve, Ardrit Hasanbegaj, i cili merr përsipër të përgjojë numrin e telefonit të Ibrahim Licit për të gjetur se ku është ai. Po ashtu, nga dosja rezulton se Hasanbegaj jep informacione për lëvizjet e bashkëshortes shtatëzënë të Dorian Dulit, ndërkohë që Behar Bajri bëhet gati që ta vrasë.

Në momentin e arrestimit, për llogari të dosjes “Metamorfoza”, Hasanbegaj nuk ishte më pjesë e Policisë së Shtetit. Në nëntor të vitit 2022, kohë kur ai ishte shef i Seksionit të Krimeve në Berat, ai ishte përjashtuar nga Policia për shkelje të rënda, me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Muhamet Rrumbullaku.

 Behar Bajri menjëherë pasi ka dalë nga burgu është angazhuar me qëllim vrasjen e shtetasve Dorian Duli dhe Ibrahim Lici, për shkak të interesave të tij personale dhe të interesave të fisit. Me qëllim realizimin e vrasjes, shtetasi Behar Bajri ka bashkëpunuar me shtetasit Astmer Bilali, Denis Bajri, Bardhyl Mavraj dhe persona të tjerë ende pa identifikuar.

Behar Bajri ka bashkëpunuar me biznesmenin Pëllumb Gjoka për grumbullimin e informacioneve në lidhje me vendndodhjen e shtetasve Dorian Duli dhe Ibrahim Lici. Ardrit Hasanbegaj, duke pasur dijeni për qëllimet e Pëllumb Gjokës dhe Behar Bajrit, por edhe akses për shkak të detyrës dhe kontakteve të tij në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, jep informacione të përftuara nga hetimet që zhvillohen nga Policia dhe nga përgjimet telefonike.

Në një rast Astmer Bilali ka arritur të sigurojë një numër telefonik, i cili dyshohet se përdorej nga Ibrahim Lici dhe ia ka dhënë Behar Bajrit. Më pas Behari numrin ia ka dhënë Pëllumb Gjokës me qëllim që t’ia japë Hasanbegajt.

Mesazhet:

Ardrit Hasanbegaj: “Unë javën tjetër jam në punë dhe duhet të jem unë në punë që ta çoj dhe e mbaj unë edhe jemi komod. Nuk kam pse t’i kërkoj ndere këtyre, e mbaj vetë, veç sa të kthehem. Ishalla të mbaj këtë ai … edhe mbarojmë punë. Ai tjetri që kemi çuar e ka ai i vogli, është konfirmuar, flet rrallë, shumë rrallë”.

Hasanbegaj gjatë bisedës e pyet Pëllumb Gjokën për një person të quajtur Suad Lici në Velipojë.

Ardrit Hasanbegaj: “Ai legeni ngeli duke fol për ty, të ka bërë padrino. Po pashë që kishte komunikime me një me mbiemër Lici e thash çne ky me këta. Atij nuk i ka dalë asnjëherë në valë antena, vetëm aty në shtëpi dhe është i vëllai se e njeh në zë ai lart (operatori i përgjimit), i njeh si shtëpi, jua njeh zërat”.

Ndërsa në vazhdim i tregon që Dorian Duli ka qenë në Tiranë. Këtë ia kishte thënë një miku i tij ndërsa i kishte treguar një zyrtar.

Pëllumb Gjoka: “Do të ketë takuar ndonjë nga LSI.

Ardrit Hasanbegaj: Ka bërë dhe një bisedë me dikë dhe i ka thënë atij që ajo punë do bëhet siç kam thënë unë, jo ndryshe, se s’bën. Për numrin po i them mbase ma jep. True Caller pastaj, kollaj, do pijë kafe nesër me atë edhe ta tregoj”

Ibrahimi dhe Dorian Duli shiheshin si dy persona që shfaqnin rrezik për grupin Bajri, ndaj një rrjet i tërë me informatorë në Polici dhe fshatrat përreth ishin aktivizuar për të gjetur vendndodhjen e tyre. Në një rast, teksa shefi i Krimeve Ardrit Hasanbegaj bisedon me Pëllumb Gjokën, i shprehet se Dorian Duli, qëndron në një hotel në Himarë dhe se për ta gjetur do aktivizojë Julin, një tjetër efektiv në Policinë e Vlorës.

Njëherësh informohej edhe Behar Bajri për lëvizjet e babait të Ibrahim Licit, Mustafa Lici, i cili ishte në plan dytësor për t’u vrarë. Gjatë një bisede në “Sky” të zbardhur nga ekspertët francezë të hetimit, Behar Bajri komunikon me Astmer Bilalin dhe i tregon që Mustafa Lici ndodhet në Laç të Vaut të Dejës. Informatori i grupit në këtë zonë i ka treguar Behar Bajrit, se Mustafa Lici ishte parë së bashku me gruan, nga ora 09:00 e paradites.

Mesazhet:

Astmer Bilali: “A ja din vendin ku është?”

Behar Bajri: “Ka qenë në Laç dhe e kanë parë duke u kthyer”

Astmer Bilali: “Duhet ta kemi informacionin më përpara që ta kapim se ndryshe nuk bëjmë dot punë. Ja kam gjet hotelin atij (Dorian Dulit) ku ka qenë në jug. Kena lënë njerëz atje me pa, ishalla po e shohin atje”

Behar Bajri: “Ka qenë me një makinë Audi ngjyrë kafe A3”

Astmer Bilali: “Nuk ia di këtë makinë”

Ky informacion për vendndodhjen e mundshme të Dorian Dulit në Himarë, i përcillet nga Behar Bajri edhe Pëllumb Gjokës, i cili më tej informon shefin e Krimeve në Shkodër, Ardrit Hasanbegajn, për të kryer verifikimet.

Më 21 gusht 2020, në mesnatë, Pëllumb Gjoka, komunikon me Ardrit Hasanbegajn, ku Pëllumbi ia ka dhënë edhe emrin e hotelit se ku po qëndronte Duli ne Himarë.

Ardrit Hasanbegaj: “Po është në zonën e Himarës, e kemi kollaj se kemi atë shokun tim. Në Vlorë e kontrollon Juli. Po nuk ka 100 hotele me këtë emër. Në zonën e Himarës po lidhem nesër vëlla, i themi këtij shokut t’i kontrollojë të gjitha nga janë njerëzit që janë nëpër dhomat e hotelit”

Më datë 2 Korrik 2020, Behar Bajri komunikon me Pëllumb Gjokën, i cili i jep porosi që të ketë kujdes.

Behar Bahri: “Do të takoj Ben Nokën: Do të flas një herë me të, të më ndihmojë për Dorin që ta heku në Lezhë.

Pëllumb Gjoka: “Ti duhet ta ndash mendjen për Dorin sepse ai shkon në Shëngjin”.

Behar Bajri: “Mbrëmë kam takuar Benin. Mirë u ndava, më tha do të ndihmoj për Dorin se shkoka në Lezhë dhe kam unë baza më tha. Shkoka me Genc Tafilin dhe me Colin. Do të ndihmoj më tha, unë kam prit me dal ti”.

Pëllumb Gjoka i kërkon Behar Bajrit që ta marrë me të mira këtë person. Disa orë më vonë, komunikojnë sërish. Ata diskutojnë në lidhje me një person me emrin “Luli” që ka shkuar për të vizituar Beharin pasi ka dalë nga burgu. Behari shprehet që ai i kishte të vetët nëndrejtorin dhe Shefin e Komisariatit.

 Pëllumb Gjoka: “Ata kanë nëndrejtorin dhe shefin e Komisariatit ndërsa ne kemi shefin e Krimit të Organizuar dhe e kemi informacionin 10, që ata nuk e dinë, dhe ti mos i thuaj”

Një javë më vonë, Behar Bajri komunikon sërish me Pëllumb Gjokën. Ai i kërkon informacione për Ibrahim Licin dhe për këtë i thotë që të pyesë Ardrit Hasanbegajn.

Behar Bajri: “Ma pyet atë shokun (Ardit Hasanbegajn) për Braçen (Ibrahim Licin) nëse është në kërkim, sepse më tha dikush që është në kërkim”

Në mesazhet që shkëmbejnë me njëri-tjetrin, anëtarët e grupit kriminal flasin edhe për rastet kur i ka ndjekur Policia, si kanë shpëtuar. Por edhe për informacione që u kanë ardhur nga Ardrtit Hasanbegaj, i cili në një farë forme ka dekonspiruar operacionet e RENEA-as dhe Operacionales. Ai ka informuar grupin që të kenë kujdes dhe të mos dalin me mjete të blinduara.

Këtë informacion Hasanbegaj ia kishte përcjellë Edmond Prekës, shoferit të biznesmenit Gjoka, duke i kërkuar në veçanti që të porosiste Behar Bajrin, të kishte kujdes.

Paraditen e 21 shkurtit të vitit 2021, Taulant Pepaj, një ish-i dënuar për tentativë vrasjeje u qëllua nga 2 persona me pistoleta në Shkodër. Në atë kohë Policia shpalli në kërkim Eljon Haton, Shkëlzen Xhenjen dhe vëllain e tij Sehar Xhenjen. Kamerat e sigurisë vërtetuan se Hato dhe Xhenja dalin nga një makinë dhe hapin zjarr ndaj Pepajt. Shkak i kësaj ngjarjeje ishte fakti se për dy vite me radhë, Pepaj, Hato dhe Shkëlzen Xhenje konfliktoheshin në burgun e Shën Kollit për motive banale. Secili prej tyre, kërkonte të krijonte territorin e vet brenda 4 mureve. Të paktën kështu u tha në atë kohë.

Ndërsa tani, kjo ngjarje është në hetim nga SPAK, si një ndër atentatet e dështuara të realizuara nga grupi Bajri. Madje në lidhje me këtë ngjarje po verifikohen 2 efektivë policie, pasi dyshohen se kanë bashkëpunuar për të shpëtuar nga arrestimi atentatorët që tentuan të vrisnin Taulant Pepajn.

Në bisedat e përftuara  nga aplikacionet “EncroChat” dhe “SKY”, ish-prokurori i Shkodrës dhe Kukësit, Xhevahit Lita, së bashku me 2 oficerë Policie rezultojnë se favorizojnë Eljon Haton, Shkëlzen Xhenjen dhe Arsad Bashlin për të mos u marrë të pandehur për ngjarjen e vitit 2021. Madje, prokurori dhe 2 punonjësit e policisë do shpërbleheshin për “punën” e bërë me 55 mijë euro, 50 mijë euro për Litën dhe 5 mijë euro për efektivët. Në dosje del në dritë fakti se 2 oficerët kanë hequr nga fashikulli i çështjes hetimore të atentatit ndaj Taulant Pepajt dhe Kolec Markut një përgjim të Pepajt, i cili përmend Bardhyl Mavrajn, djalin e xhaxhait të Behar Bajrit.

Në një prej bisedave të përmendura në dosje, prokurori Xhevahit Lita, Arsad Bashli dhe Bardhyl Mavraj diskutojnë se si do të manovrojnë Eljon Haton dhe bashkëpunëtorët e tij për të mos u kapur nga policia.

Bardhyl Mavraj: “Hatoja do dalë nga kërkimi. Vlla fola me Xhevin dhe i asht duk pozitiv ky shoku dhe i ka lan porosi me pyt këtë jav Pepën edhe Bashlin dhe pasi të pytet Bashli lehet i lirë direkt me tha. Sa ti tregojnë qe kujt ja ka dhanë makinën dhe sa të pytet Pepa për Haton del nga kërkimi edhe Hatoja”

Xhevahir Lita: “Pepa të thotë që Hato nuk ka qenë në vendngjarje”

Bardhyl Mavraj bisedon me prokurorin Xhevahir Lita, ku ky i fundit i tregon se ka lënë porosi që të kryhet deri në fund të javës (dyshohet për veprim hetimor) dhe se i ka thënë të pyesë djalin, Arsad Bashlin se kujt ia ka dhënë makinën dhe ta lë të lirë.

Xhevahir Lita: “I thashë nëse nuk e tregon se kujt ia ka dhënë, të bej arrest në vend… Do e pyes atë të dëmtuarin nëse ka qenë Hato aty apo jo dhe ai do thotë që Haton e njoh po nuk ka qenë në vendngjarje…miku ta takojë Luanin, se ai i mbyll… Takoje Pepën e thuaj nëse të pyesin përsëri thuaj që Hato nuk e kam parë në vendngjarje, as në qytet megjithëse e njoh……po kështu të thojë edhe për Bashlin…”.

Pra, për atentatin ndaj Taualant Pepajt, planifikohet që ky i fundit të deklarojë në Prokurori se nuk ka qenë Eljon Hato ai që e ka goditur me pistoletë, edhe pse më vonë hetimet provuan të kundërtën.

Ndërkohë gjatë një komunikimi mes një personi tjetër dhe Bardhyl Mavrajt, ai i tregon këtij të fundit lidhur me një takim që ka pasur me punonjës policie dhe e vë në dijeni që, Taulant Pepaj në përgjim telefonik rezulton se ka përmendur emrin e Bardhit (Bardhyl Mavraj) dhe se këtë përgjim, punonjësi policisë me të cilin është takuar do e heqë nga fashikulli.

Më 23 mars të vitit 2021, prokurori Xhevahir Lita ka regjistruar procedim penal për Shkëlzen Xhenjen, për veprat penale “armëmbajtje pa leje” dhe “kanosje” dhe më pas është dërguar në gjyq. Për Prokurorinë e Posaçme, nga aktakuza e akteve të administruara, dyshohet se prokurori Lita ka konsumuar elementë të veprës penale të “korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve e funksionarëve të drejtësisë. Personat nën hetim, Eljon Hato, Arsad Bashli dhe Bardhyl Mavraj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke i dhënë shuma monetare Litës, kanë konsumuar veprën penale të “korrupsionit aktiv”. Hato dhe Bashli, në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen për “vrasje me paramendim” mbetur në tentativë.

 

Gjithçka që thuhej nën zë a lihej të nënkuptohej për një lidhje të krimit me Policinë, doli në sipërfaqe pas operacionit “Metamorfoza”. Të gjithë mësuam se ata, polici dhe krimineli, bashkëpunojnë, madje edhe për krime mjaft të rënda. Bashkëpunim që u kthye në një makinë korrupsioni dhe nisi të hajë koka edhe nga e mira edhe nga e keqja, duke lejuar kështu që të rritet një e keqe akoma më e madhe. Në kulmin e luftimeve, në fushëbetejë, policë e prokurorë të kamufluar, punuan për krimin dhe u bënë pjesë e tij. Disa u zbuluan e të tjerë janë në verifikim. Një polic nuk përfaqëson të gjithë Policinë e Shtetit e as një prokuror Prokurorinë. Por mjaftojnë këto raste për të zhgënjyer njerëz që besojnë ende të drejtësia që gjithnjë e më shumë shihet me dyshim/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!