Meta uron homologun bullgar për rizgjedhjen: I bindur se do të nxisni mbështetjen për vendet kandidate të rajonit

schedule15:15 - 22 Nëntor, 2021

schedule 15:15 - 22 Nëntor, 2021

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka uruar homologun bullgar për rizgjedhjen në krye të shtetit. Në një postim në Facebook, Meta shprehet se rizgjedhja e Rumen Radev i jep një kënaqësi të veçantë në emër të popullit shqiptar.

Kreu i shtetit shpreh besimin se gjatë mandatit të ri të Radev, marrëdhëniet miqësore e tradicionale të bashkëpunimit dypalësh do të zhvillohen dhe do të pasurohen më tej. Po ashtu, Meta shpreh mirënjohjen edhe për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë “Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Ai shpreh bindjen se rizgjedhja e Rumen Radev do ta nxisë më shumë mbështetjen bullgare për vendet kandidate të rajonit.

ILIR META NË FACEBOOK

“I nderuar Zoti President, Shkëlqesia Juaj, Rumen Radev,

Rizgjedhja Juaj si President i Bullgarisë, më jep kënaqësinë e veçantë, që në emër të popullit shqiptar dhe emrin tim personal, t’Ju përcjell urimet më të ngrohta e të sinqerta për përmbushjen me sukses të misionit Tuaj në drejtimin e Republikës së Bullgarisë. Shpreh besimin se gjatë mandatit Tuaj të ri, marrëdhëniet shumë miqësore e tradicionale të bashkëpunimit, dypalësh dhe shumëpalësh, midis dy vendeve e dy popujve tanë miq do të zhvillohen e pasurohen edhe më tej në të ardhmen.

Jam i bindur se falë vullnetit, vizionit dhe vlerave të përbashkëta euroatlantike marrëdhëniet e miqësisë dhe të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Bullgarisë, jo vetëm ato politike, do të fitojnë një dinamikë të re, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik, turizmit, kulturës, arsimit dhe zhvillimit infrastrukturor.

Sot, si asnjëherë tjetër, adresimi i sfidave me të cilat shoqëritë tona po përballen, kërkon një bashkëpunim edhe më të ngushtë mes vendeve tona në rajonin e Europës dhe më gjerë, sidomos në kuadër të partneritetin të NATO-s.

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për mbështetjen, që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, e njëkohësisht të shpreh bindjen se rizgjedhja Juaj si President i Bullgarisë do të nxisë edhe më shumë mbështetjen bullgare për vendet kandidate të rajonit tonë në këtë proces të rëndësishëm, si në planin strategjik, ashtu edhe në atë të stabilitetit rajonal.

Së bashku me urimet e mia të sinqerta për rizgjedhjen Tuaj si President i Republikës së Bullgarisë, dhe urimet e mia më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj dhe për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të Bullgarisë, Ju lutem pranoni Shkëlqesi, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.” /abcnews.al/

Kujtojmë se bullgaria i ka besuar një tjetër mandat në krye të Presidencës Rumen Radevit, i cili është bërë simbol i lëvizjes kundër korrupsionit në vendin më të varfër të Bashkimit Evropian. 58 vjeçari, një ish-pilot luftarak mori 63% -65% të votave, sipas sondazheve të para.

Kundërshtarja e tij Anastasia Gertzhikov, e cila kishte mbështetjen e partisë konservatore “GERB” të ish-kryeministrit Bojko Borisov, fitoi 31% -33% të votave. Votimi, i katërti në një vit në Bullgari, u zhvillua në mes të valës vdekjeprurëse të pandemisë Covid-19. /abcnews.al/