Kreu i shtetit firmosi sot në mënyrë demonstrative para mediave, dekretin që shfuqizon 30 Qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore. Në një deklaratë për shtyp, qe zgjati rreth 40 minuta, Presidenti Meta shpjegoi argumentet ligjore që e çuan në ketë vendimmarrje. Sipas tij, palët kanë qëndrime ekstreme, që mund të ojne vendin drejt një konflikti social. Zgjedhjet pa garë dhe pa alternative në 30 Qershor, Presidenti i quajti fiktive dhe farse.
Me qetësi ka vendosur t’i shpjegojë arsyet që e detyruan të anulojë datën e zgjedhjeve vendore në 30 Qershor.
Fillimisht e bën të qartë për të gjithë ata që e dyshojnë, Presidenti i Republikës është organi i vetëm që njeh kushtetuta për përcaktimin e zgjedhjeve në vend. Çdo deklaratë e mazhorancës se zgjedhjet në 30 Qershor do të zhvillohen bie në kundërshtim me nenin 86 të Kushtetutës së republikës së Shqipërisë.
“Sipas Kushtetutës, pa patur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet e përgjithshme apo zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, nuk mund të zhvillohen në Republikën e Shqipërisë”.
Mungesa e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe situata politike që po kalon vendi kanë detyruar presidentin të anullojë dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit datë e cila u vendos në një kohë kur klima politike nuk është kjo e sotmja- argumenton kryetari i shtetit. Jo vetëm kaq por mesazhet që i ka dërguar në mënyrë të përsëritur mazhorancës dhe opozitës për tu ulur në tryezën e dialogut nuk janë dëgjuar tha presidenti Meta, përkundrazi.
“Për fat të keq të dy palët qëndruan në pozitat e tyre ekstreme. Maxhoranca vijon të tentojë kapjen totale të institucioneve, ndërsa opozita deligjitimimin e plotë të tyre”.
Si kryetar i shtetit e konsideron këtë moment si rrezik serioz për sigurinë publike, për paqen dhe stabilitetin në vend.
“Zhvillimi i zgjedhjeve në kushtet e një situate të tensionuar politike, mund të sjellësi pasojë jo vetëm mospjesëmarrjen në zgjedhje të rreth gjysmës së votuesve, por krijon rrezikun e një konflikt civil, gjë e cila përbën rrezik serioz për dëmtim të jetës dhe shëndetit të qytetarëve, stabilitetin demokratik të vendit, unitetin e popullit dhe rendin kushtetues”.
Deklaratat kokëforta të Mazhorancës dhe Opozitës po i mohojnë qytetarëve të drejtën e zgjedhjes dhe kjo rrezikon demokracinë. Të dhënat e dy zgjedhjeve të fundit të organizuara në Shqipëri tregojnë se opozita përfaqëson gati gjysmën e votuesve tha presidenti.
“Kjo situatë bëhet edhe më absurde, referuar faktit që për këto zgjedhje në më shumë se në gjysmën e njësive të qeverisjes vendore konkuron vetëm një kandidat për t’u zgjedhur si Kryetar Bashkie, ndërkohë që për pjesën tjetër konkurohet me kandidatë të propozuar nga mundësia e vetme për të respektuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur”.
E po ashtu nuk është e vërtetë që opozita nuk ka shprehur vullnetin për pjesëmarrje në zgjedhje siç mazhoranca e ka përsëritur në deklaratat e saj, por kërkon vendosjen e standardeve në zhvillimin e këtij procesi është argumenti tjetër që jep presidenti Ilir Meta për shkaqet që e çuan në anulimin e dekretit të zgjedhjeve. Është qeveria që duhet të japë garancinë që kërkon opozita, në të kundërt vjen ndërhyrje e institucionit që Ilir Meta drejton.
“Në kushtet aktuale, anulimi i zgjedhjeve,është mjeti i vetëm emergjent për zgjidhjen e krizës së rëndë politike dhe parandalimin e një përshkallëzimi të pakontrolluar të saj dhe shtyrje tyre për në një datë tjetër të dakordësuar mes palëve politike, do të shërbejë si nxitje për dialog për zgjidhjen e krizës që po kërcënon stabilitetin demokratik të vendit”.
Hedh poshtë edhe pretendimet se kryebashkiakëve u mbaron mandate dhe nuk ka kush ti qeverisë bashkitë në vend.
“Ë se,nuk krijohet vakum funksional në organet e qeverisjes vendore aktuale, deri në zgjedhjen dhe fillimin nga funksionimi i të zgjedhurve nga zgjedhjet vendore që pritet të zhvillohen në një datë të mëvonshme”.
Pas arsyetimit prej afro 40 minutash, presidenti Meta vendosi ta nënshkruajë drejtpërdrejtë dekretin për anulimin e zgjedhjeve në 30 Qershor. Pret që pas këtij akti historik siç e quan ai, palët të ulen e të gjejnë rrugën e dialogut.
Pikat që renditi Meta:
I. Së pari, organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike është baza themeltare e një shoqërie demokratike. Çdo demokraci ka nevojë që herë pas here të testojë funksionalitetin dhe efikasitetin e institucioneve të saj dhe zgjedhjet janë pikërisht mekanizmi që e mundësojnë atë.
II. Së dyti, pjesëmarrja në zgjedhje vetëm e mazhorancës, dhe aq më tepër kur në më shumë se gjysmën e njësive të qeverisjes vendore është regjistruar vetëm një kandidat, cenon rëndë parimin kushtetues të pluralizmit mbi të cilën ndërtohet fuksionimi i shtetit të ssë drejtës.
III. Së treti, zhvillimi i zgjedhjeve në kushtet e një situate të tensionuar politike, mund të sjellë si pasojë jo vetëm mospjesëmarrjen në zgjedhje të rreth gjysmës së votuesve, por krijon rrezikun e një konflikt civil, gjë e cila përbën rrezik serioz për dëmtim të jetës dhe shëndetit të qytetarëve, stabilitetin demokratik të vendit, unitetin e popullit dhe rendin kushtetues.
IV. Së katërti, është e vërtetë që aspekt i rëndësishëm i zgjedhjeve është periodiciteti i zhvillimit të tyre. Kjo është e lidhur me mandatin e kufizuar që kanë organet përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore. Mirëpo, në rastin e zgjedhjeve lokale, dita e zgjedhjeve, nga pikëpamja kushtetuese, mund të tejkalojë mandatin e organit përfaqësues apo ekzekutiv të njësisë së qeverisjes vendore. Për pasojë, shfuqizimi i dekretit dhe rrjedhimisht dhe anulimi i datës së zgjedhjeve dhe shtyrja e tyre përtej periudhës zgjedhore të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor, në kushtet kur bëhet për të mbrojtur vlera dhe parime kushtetuese, bazë për funksionimin demokratik të shtetit dhe institucioneve, nuk paraqet pengesa nga pikëpamja kushtetuese.
V. Së pesti, zhvillimi i proceseve zgjedhore në Republikën e Shqipërisë si për Kuvendin dhe ato për organet e qeverisjes vendore, kanë krijuar historikun e vet, ku nuk mungojnë rastet e preçedentëve të mëparshëm të shtyrjes së datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, gjithmonë në varësi të rrethanave dhe për të përmbushur një qëllim të ligjshëm.
VI. Së gjashti, Presidenti i Republikës vlerëson të rëndësishëm faktin që, nga mosrealizimi për arsye kushtetuese të zgjedhjeve brenda afatit ligjor, të mos cenohen interesat e qytetarëve shqiptarë.
VII. Së shtati, si President i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet politike, ai nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj dëmit të jashtëzakonshëm që kriza politike ka shkaktuar e pritet të shkaktojë edhe më shumë në ekonominë e çdo familje shqiptare dhe në mbarë vendin. Ajo ka injektuar pasiguri tek konsumatori, tek bizneset e vogla dhe të mëdha, investitorët vendas dhe të huaj, në turizëm dhe çdo aspekt tjetër të mbarëvajtjes sociale-ekonomike të vendit.
VIII. Së fundmi, zhvillimi i zgjedhjeve më datë 30 qershor 2019, pa garë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës, do të shënonte ngrirjen e progresit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, do të minonte çdo mundësi për çeljen e negociatave dhe përmbushjen e kriterit kryesor të Kopenhagës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe do të dëmtonte imazhin e Republikës së Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe si kryesues i OSBE-së në vitin 2020, kur për vetë OSBE-në çështjet e standardeve zgjedhore janë thelbësore.
Fjala e plotë e Presidentit Ilir Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve – Kliko për të lexuar