Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar pasi ish-presidenti Ilir Meta sulmoi kreun e SPAK, Arben Kraja. SPAK njoftoi nisjen e hetimeve për Metën, ndërsa kreu i Partisë së Lirisë e quajti Krajën, “spurdhjak të partisë”.
Ndërkaq, ambasadorja e SHBA thekson se kërcënimet ndaj gjyqtarëve nuk mund të pranohen. Sipas saj, kjo është përpjekje për të cënuar reformën në drejtësi.
Kim kujton se për një kohë të gjatë në Shqipëri të pasurit dhe të fuqishmit kanë besuar se janë të paprekshëm. Kim nënvizon se reforma në drejtësi po jep rezultate dhe se askush nuk është mbi ligjin.
“Kërcënimet për prokurorët dhe gjyqtarët dhe përpjekjet e tjera për të prishur reformën në drejtësi nuk duhet të pranohen më si “normale”. Kjo sjellje nuk i përket një vendi që është në NATO, ka hapur negociatat për anëtarësim dhe është ulur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Për një kohë të gjatë, të pasurit dhe të fuqishmit kanë besuar se janë të paprekshëm. Tani ata janë të shqetësuar se mosndëshkueshmërisë së tyre mund t’i vijë fundi. Ndërsa reforma në drejtësi zbatohet dhe jep gjithnjë e më shumë rezultate, do të bëhet më e qartë dhe më e qartë se askush – ASKUSH – nuk është mbi ligjin”, shkruan Yuri Kim.
1/2 Threats & inducements for prosecutors & judges – & other efforts to derail justice reform in ?? – should not be accepted as “normal” anymore. This behavior does not belong in a country that is in NATO, has opened negotiations for ?? membership, & sits on UN Security Council.
— Ambassador Yuri Kim (@USAmbAlbania) August 24, 2022
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se ka nisur një hetim për ish-kreun e shtetit, pas kallëzimit të bërë nga ish-deputeti Halit Valteri. SPAK kërkon nga KQZ formularin e dekriminalizimit për Ilir Metën, në funksion të hetimit për të.
Kujtojmë se në qershor të këtij viti, Valteri paditi ish-presidentin me akuzën se gjatë kohës që ka qenë në pushtet ka përfituar para nëpërmjet korrupsionit dhe këto i ka përdorur për lobim. Ai deklaroi se paratë e korrupsionit Ilir Meta i ka transferuar për lobim dhe këto prova ia ka vënë në dispozicion një gazetar i huaj. g.v/abcnews.al