Meta: Situata e shqiptarëve të bllokuar në kufijtë grek duhet të marrë zgjidhje të menjëhershme

schedule17:29 - 5 Prill, 2020

schedule 17:29 - 5 Prill, 2020

Presidenti Meta përmes një deklarate për shtyp thotë se është i shqetësuar mbi situatën e qytetarëve shqiptarë të cilët vijojnë ende të jenë të bllokuar në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës.

Sipas Presidentit kjo situatë duhet të marrë zgjidhje të menjëhershme ndërsa ka bërë thirrje që qytetarët shqiptarë të respektojnë kushtet e urgjencës së domosdoshme në këtë kohë pandemie.

Deklarata e Plotë:

Deklaratë e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta

5 prill 2020

Jam shumë i shqetësuar mbi situatën e qytetarëve shqiptarë të cilët vijojnë ende të bllokuar në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës.

Kjo situatë duhet të marrë zgjidhje të menjëhershme.

U bëj thirrje sërish të gjithë qytetarëve shqiptarë të respektojnë kushtet e urgjencës dhe domosdoshmërisë të imponuara nga pandemia e COVID-19 në pikat tona kufitare e njëkohësisht kërkoj nga autoritetet tona përgjegjëse të respektojnë, jo vetëm kërkesat e situatës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por edhe detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare që shteti ka ndaj qytetarëve të vet në një situatë të tillë.

Edhe njëherë kërkoj nga të gjithë më shumë bashkëpunim e mirëkuptim, solidaritet e përgjegjësi mes qytetarëve dhe autoriteteve tona në dobi të interesit publik dhe sigurisë së jetës./abcnews.al