Meta shpall aksionin politik nga selia e LSI: Rrugë e re, krenar që e themelova këtë parti

schedule10:44 - 25 Korrik, 2022

schedule 10:44 - 25 Korrik, 2022

Ish-presidenti Ilir Meta jashtë selisë së LSI, u shpreh krenar për themelimin e kësaj partie, ndërsa rimori pas pesë vitesh kartën e anëtarësisë. “Një ditë e re dhe një rrugë e re. Krenar që themelova LSI”, tha Meta, duke shpallur në këtë mënyrë aksionin e tij të ri politik.

“Ja që nuk ka vetëm 24 korrik po ka dhe 25 korrik. Një ditë e re, një agim i ri dhe një rrugë e re. Erdha sot këtu sepse kisha pak nostalgji për këtë dokumentin e LSI e se jam krenar që në 2004 kam ngritur një forcë politike për të shpëtuar integrimin e Shqipërisë që mbahej peng nga PS e falë atij angazhimi të jashtëzakonshëm të LSI u bë rrotacioni kleptokracia humbi mbi 20 e ca mandate e falë atij rrotacioni Shqipëria firmosi marrëveshjen e stabilizim asociimit”, tha Meta.

Dje, Meta përfundoi mandatin 5-vjeçar si president  Republikës dhe ia dorëzoi detyrën kreut të ri të shtetit, Bajram Begaj.

Ai do t’i kthehet politikës aktive. Në orën 19:00 LSI mban sot Konventën Kombëtare ne Pallatin e Kongrese dhe Meta pritet që të konfirmohet si kryetar i saj.

Ish-presidenti e nisi ditën herët sot, duke përcjellë mesazhe. Në një foto të publikuar me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, ai shkruate për “shpresë dhe horizont të ri”. Në një tjetër foto, ku shfaqej duke pirë kafen e mëngjesit me ish-ambasadorin Agim Nesho dhe zëdhënësin e tij në Presidencë, Tedi Blushi, Meta thotë se “është koha për veprim”. g.v/abcnews.al