Një ditë pasi publikoi raportin shpjegues për Komisionin e Venecias, Presidenti Meta iu rikthye analizës së vendimeve të tij e të sjelljes së aktorëve politikë përmes një editoriali. Në të, kreu i shtetit shpreh bindjen për qëndrimin e tij të drejtë, duke e ilustruar me fragmente nga raporti i OSBE/ODIHR për 30 Qershorin.
I gjen të justifikuara vendimet e tij tek raporti i OSBE/ODIHR Presidenti Ilir Meta të cilin e emërton si skaneri që ndan shtetin e propagandës nga shteti i së drejtës. Nëpërmjet një editoriali, kreu i shtetit ka shkëputur fragmente nga raporti i fundit duke e nisur që në fillim me citime.
“‘Kriza politike u intensifikua me afrimin e ditës së zgjedhjeve’. Ky antagonizëm ishte tregues i mungesës së përgjegjësisë së përbashkët ndaj integritetit të procesit zgjedhor që duhet të tejkalonte ndasitë partiake, dhe rrjedhimisht, ndikoi negativisht në të drejtën e qytetarëve për të marrë pjesë në qeverisje”.
Për kreun e shtetit këto konstatime të thjeshta nga raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR mjaftojnë për të kuptuar sintezën e klimës së rënduar politike, që sa vinte e përshkallëzohej, duke iu afruar 30 Qershorit.
“Marrëdhënia mes palëve, që me të drejtë cilësohet si antagoniste, ishte në shkallën më të lartë të armiqësisë dhe frymës provokuese. Një papërgjegjshmëri e përbashkët politike, që rrezikonte shkatërrimin e integritetit dhe standardeve të zgjedhjeve, me pasoja të rënda për të ardhmen europiane të Shqipërisë”.
Por çfarë e bëri të pamundur rishikimin e datës së zgjedhjeve përmes dialogut gjithëpërfshirës? Përgjigjen e ka Presidenti.
“Tashmë është shumë e qartë: kokëfortësia dhe vendosmëria e Kryeministrit Rama për të zhvilluar zgjedhje pa opozitën, pa bërë përpjekjet më minimale dhe të sinqerta, për të shmangur pasojat”.
Ndër të tjera për kreun e shtetit edhe raporti i OSBE/ODIHR ka konstatuar paligjshmërinë e veprimeve të Kuvendit dhe “konkluzioneve” të rezolutës, që u përdor vetëm për të justifikuar politikisht aktin e paligjshëm të KQZ për refuzimin e dekreteve të Presidentit dhe manipulimin për qëllime propagandistike të Kolegjit Zgjedhor.
Edhe një herë kryetari i shtetit përsërit se i vetmi tejkalim afatesh procedurale i akteve të Presidentit është ai i parashikuar nga Kodi Zgjedhor (me tre muaj), por edhe ky tejkalim ishte tërësisht i parëndësishëm në raport me vetë parimet e Kodit Zgjedhor që është ndërtuar për të mos pranuar dhe as lejuar zgjedhje fiktive pa kundërshtarë.
“Këtë e konstaton shumë qartë OSBE/ODIHR kur në raportin e tij të ndërmjetëm të datës 14 Qershor 2019, u shpreh se: ‘Kodi Zgjedhor nuk përmban asnjë rregullim specifik për zgjedhje pa kundërshtarë’”.
Të gjitha këto e kanë bërë presidentin Meta të arrijë në përfundimin se kokëfortësia e Kryeministrit për të mbajtur votime antikushtetuese, të paligjshme dhe qartësisht moniste në 30 Qershor, shërbeu që të gjithë shqiptarët të dallojnë qartë shtetin e propagandës nga shteti i së drejtës./ABC News Albania 24/7