Meta: Presidenti është zgjedhur nga parlamenti legjitim

schedule11:10 - 14 Qershor, 2019

schedule 11:10 - 14 Qershor, 2019

“Presidenti është zgjedhur nga parlamenti, plotësisht legjitim, Presidenti i takon Republikës dhe Republika qytetarëve”. Është kjo përgjigjia e kreut të shtetit në lidhje me rezolutën e miratuar dje nga Parlamenti për shkarkimin e Ilir Metës.

I pyetur për datën e zgjedhjeve, Presidenti Meta tha se ajo do të jetë shumë shpejt dhe se është duke punuar  me qetësi dhe përgjegjësi.

Kur do jetë data e zgjedhjeve?

Meta: Sa më parë të jetë e mundur. Po punojmë me qetësi dhe përgjegjësi.

Dekreti juaj pritet të gjykohet nga Kolegji Zgjedhor a do e pranojë Presidenti i Republikës çdo vendimmarrje cilado qoftë ajo?

Meta: Dekreti mund të gjykohet edhe nga gjykata e Skraparit që nuk ekziston. Presidenti nuk ndalon askënd që të çmëndet. Përkundrazi i fton të gjithë që të izolojmë çdo të çmendur, i cili në këtë ditë të dhurimit të gjakur bën thirrje për gjëra të ndryshme.

Shqipëria kë nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme sepse vetëm ato sigurojnë çelje të negociatave për në BE që është objektiv i të gjithë qytetarëve. Dekreti është në fuqi, është i zbatueshëm dhe i detyrueshëm për të gjithë. Kush dëshiron të ecë në rrugën e paligjshmërisë le të vazhdojë. Presidenti ka të drejtë që çdo ditë të bëjë thirrje për reflektim.

Çfarë pasojash do të kenë ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë?

Meta: Ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë të jenë të sigurt që do të kenë të gjitha pasojat që do të provokojnë paqen sociale dhe stabilitetin demokratik në vend.

Këto deklarata Kreu i Shtetit i bëri në përmbyllje të fushatës së dhurimit të gjakut i pyetur nga gazetarët. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!