Meta për shkarkimin e tij: Parlamenti është i Republikës

schedule14:30 - 14 Qershor, 2019

schedule 14:30 - 14 Qershor, 2019

E ka lënë dashurinë dhe ka vendosur përgjegjësinë të parën për të përcaktuar pa humbur kohë një datë të re zgjedhjesh për shqiptarët.

“Sa më parë që të jetë e mundur. Po punoj me shumë qetësi dhe me shumë përgjegjësi. Dekreti është në fuqi dhe është i detyrueshëm për të gjithë. Presidenti mban shënim me shumë vëmendje çdo institucion që shkel ligjin”.

Askush të mos e vërë në dyshim që një dekret presidenti paralajmëron kryetari i shtetit.

“Dekreti është në fuqi. Dekreti është i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Kush dëshiron të ecë në rrugën e paligjshmërisë, le të vazhdojë! Është e drejta e tij. Presidenti ka të drejtë që të bëjë thirrje çdo ditë për reflektim”.

E vetmja që mund ta gjykojë është Gjykata Kushtetuese të tjerave nuk i kushton rëndësi Ilir Meta.

“Dekreti mund të gjykohet edhe nga Gjykata e Skraparit, që nuk ekziston. Presidenti nuk ndalon askënd të çmendet. Përkundrazi, i fton të gjithë që të izolojmë çdo të çmendur, i cili në këtë Ditë të Dhurimit të Gjakut bën thirrje për gjëra të ndryshme”.

Presidenti është zgjedhur nga Parlamenti dhe i përket Republikës. Kjo e fundit u përket qytetarëve është mesazhi që i dërgon kryetari i shtetit  pretendimit të mazhorancës se Shqipëria është republikë parlamentare e si e tillë vendos ajo e institucioni i presidentit. Gjithsesi shënimet për ata që shkelin ligjet vazhdojnë të hidhen në bllokun e numri një të shtetit i cili paralajmëron se nuk do të mbesin thjesht në letër.

“Ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë duhet të jenë të sigurt që do të kenë të gjitha pasojat që do të provokojnë paqen sociale dhe stabilitetin demokratik në vend”./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!