Presidenti Meta ka saktësuar dhe njëherë tjetër se shkarkimi i Ditmir Bushatit si ministër i Jashtëm nuk do të ndodhë deri në vlerësimin e figurës së emrit që do ta zëvendësojë atë. Duke folur nga Kavaja, Meta tha se vendimi i tij do të bëhet publik menjëherë sapo të merren përgjigjet nga institucionet përkatëse për Gent Cakajn, të propozuar nga Rama si kreu i ri diplomacisë shqiptare.
Mosdekretimi për shkarkimin e Bushatit si Ministër i Jashtëm dhe emërimin e Gent Cakajt në këtë post, lidhet pikërisht me propozimin e një figure jo politike nga ana e kryeministrit Rama, për të drejtuar në vijim këtë dikaster.
Këtë argument dha sërish Presidenti Ilir Meta lidhur me pozicionin e tij përballë rikompozimit të kabinetit qeveritar.
“Të gjitha propozimet janë konfirmuar menjëherë, që vijnë nga politika, nga Kuvendi, pasi janë përfaqësues, të cilët kanë kaluar disa filtra në të kaluarën përsa i takon integritetit të tyre publik. Për të gjithë emrat e rinj apo figurat e reja që promovohen për ministra, pra që propozohen si të tillë po bëhet detyra normale, me shumë përgjegjësi për verifikimin e integritetit të tyre në mënyrë që të respektojmë institucionin e ministrit, si një institucion shumë të rëndësishëm kushtetues”.
Duke insistuar në përmbushjen e të gjitha detyrimeve kushtetuese që ka Presidenti i Republikës , Meta sqaron se vendimi i tij do të bëhet publik sapo ai të marrë përgjigjet drejtuar institiucioneve përkatëse për figurën e Gent Cakaj i propozuar nga kreu i qeverisë si ministër i jashtëm.
“Brenda afateve dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, jo duke pritur orët e fundit. Por kjo do të varet nga përgjigja e institucioneve që ne u jemi drejtuar. Do të bëjmë të gjitha veprimet përfundimtare dhe publike, me transparencë maksimale”.
Ndryshe nga qendrimi ndaj emrit te ri per Ministrine e Jashtme, Presidenti Meta dekretoi pa vonese te gjitha shkarkimet ne qeveri te kerkuara dhe propozuara nga kryeministri Rama. /abcnews.al