Meta për mos dekretimin e Sandër Lleshit: Amatorët të lexojnë kushtetutën

schedule10:10 - 9 Nëntor, 2018

schedule 10:10 - 9 Nëntor, 2018

I buzëqeshur i doli pritës së gazetarëve. Këtë herë i gatshëm t’ia kthejë një përgjigje akuzave të Kryeministrit se Presidenti i republikës ka shkeluar kushtetutën me mos dekretimimin e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.

Ilir Meta, president i Republikës: “Pa dashur të jap leksione për Kushtetutën. Të gjithë amatorëve dhe dilentantëve të njëanshëm i ftoj të lexojnë Kushtetutën dhe kompetencat e Presidentit. Një akt formal apo ceremonial është vetëm betimi tek presidenti. Të gjithë ata që mendojnë se dekretimi nuk është një akt substancial por formal dhe se presidenti ka detyrë të firmosë një propozim”.

Por propozimi është përsëritur nga kryeministri Rama. Këtë herë dekreti shoqërohet edhe me një relacion shterues për emrin e propozuar prej tij për ministër të brendshëm- konfirmim e dha kryetari qeverisë me një status në rrjetet sociale. Sapo presidenti të shkojë në zyrë do ta gjejë atje si një shans të fundit që krisja të mos kalojë në thyerje me mazhorancën socialiste. Duket se Ilir Meta nuk është i surprizuar nga kjo lëvizje të cilës zgjedh ti përgjigjet me pyetje.

“Kam një pyetje tjetër: A mundet parlamenti të rrëzojë dekretin e presidentit për një ministër? Sepse dhe kjo nuk është shprehur në mënyrë eksplicite në Kushtetutë”.

Në emër të Kushtetutës bëhen deklaratat e dy institucioneve Presidencë-Kryeministri. Ajo që duhet të thotë fjalën e fundit është Gjykata Kushtetuese e cila pret të plotësohet me gjyqtarë. Megjithatë një funksion e ka, atë të arkivimit të kërkesave që do të shqyrtohet kur ajo të jetë e plotësuar.

Edi Rama, Kryeministër: “Të hënën këtë çështje do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese. Pas disa muajve, kur ajo të krijohet, nuk ka rëndësi edhe në pranverën e vitit të ardhshëm kjo gjykatë do marr vendimin e saj për të sqaruar Presidentët e ardhshëm. Do e çojmë atje padiskutim. Ne e kemi gati gjykatën.”

Pavarësisht përgjigjes së dytë të presidentit për emrin që i propozohet për ministër iu brendshëm, Kryeministri do tia dërgojë Gjykatës Kushtetuese pasi duhet një vendim që të sqarojë se kujt i jep të drejtë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

“Politika është shah nuk është dam. Ne e kemi votuar në një kohë kur nuk i kishim votat. Deri të shtunën, kur bëri këtë ekstravagancë Kushtetuese, ka qenë një President korrekt”.

“Më lini të bëj detyrën time me përgjegjshmëri të plotë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!