Meta për ABC News: Zgjedhorja nuk mjafton, dialog edhe për çështje të tjera

schedule17:44 - 21 Janar, 2020

schedule 17:44 - 21 Janar, 2020

9 vjet pas 21 Janarit, kur bulevardi Dëshmorët e Kombit u përgjak me 4 viktima, Ilir Meta, sot president i Republikës thotë se qytetarët u keqpërdorën nga politika

“Ai 21 janar na kujton se politika ka përdorur dhunën për të arritur objektivat politike në mënyrë të pandershme. Kjo na tregon se sa e rëndë është situata kur instrumentalizohen qytetarët për qëllime të tilla. Na kujton se duhet të heqim dorë nga dhuna për të arritur qëllime politike”, tha Meta.

Pas një viti krizë të fortë politike e institucionale, 2020-a ka nisur me paqëtim të mazhorancës e opozitës, të cilat arritën vetë një dakordësi për të finalizuar reformën zgjedhore. Për kreun e shtetit kjo nuk duket e mjaftueshme.

Tryeza për reformën zgjedhore i duket shumë e ngushtë e propozon që të zgjerohet edhe me çështje të tjera.

“Eshtë hap pozitiv sepse përfundimi i reformës zgjedhore është kërkesa e Bundestagut dhe gjithë procesit të kushtëzuar për hapjen e negociatave. Shpresoj të mos ketë surprizë tjetër rrugës. Edhe sikur ky hap të jetë pozitiv, është fare pak edhe teper vonë. Kërkohet një tryezë tjetër shumë e thellë më e përgjegjshme për të plotësuar të gjitha detyrimet. Duhet të shkojë përtej reoformës zgjedhore sepse ajo nuk do të zgjidhë ndonjë gjë të jashtëzakonshme”, tha Presidenti.

Edhe vetë kreu i shtetit ndihet më i qetë në vitin 2020. Nuk ka dyshim se është i pamundur realizimi i shkarkimit të tij, edhe pse ligjërisht do vijojë mbrojtjen edhe në komisionin e Venecias, aty ku po përgatitet të dërgojë një seri pyetjesh të tjera pas pyetjeve që dërgoi parlamenti, lidhur me kontestimin e një anëtareje të Gjykatës Kushtetuese./abcnews.al