Presidenti Ilir Meta i ka drejtuar një apel qytetarëve sarandiot, por edhe gjithë shqiptarëve lidhur me nismën e ndërmarrë nga aleanca për dhurimin e gjakut në përmbushjen e qëllimit që dhurimi i gjakut të plotësojë në mënyrë vullnetare çdo nevojë në mënyrë të qëndrueshme.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, shoqëruar nga kryetarja e Bashkisë Sarandë, Florjana Koka, ishte në qytetin bregdetar në kuadër të nismës që ka ndërmarrë “Aleanca për Dhurimin e Gjakut” për të cilën u drejtoi një apel qytetarëve.
“Saranda është një nga ato qytete ku problematika është serioze sa i takon përqindjes së banorëve me talasemi. Apeloj që ky proces cilësor i dhurimit vullnetar të gjakut, i nisur sot, të vazhdojë”.
Kreu i shtetit nënvizoi qëllimin kryesor të Aleancës që në vitin 2020 të arrihet objektivi i vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që dhurimi i gjakut të jetë një proces i garantuar tërësisht në mënyrë vullnetare. /abcnews.al

