Meta në Përmet: Përmetarët të parët që meritojnë anëtarësimin në BE

schedule11:14 - 10 Maj, 2018

schedule 11:14 - 10 Maj, 2018

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vizitoi të mërkurën qytetin e Përmetit me rastin e hapjes zyrtare të sezonit turistik, ku u mikprit nga Kryetari i Bashkisë, Niko Shupuli, përfaqësues të  pushtetit vendor si dhe banorë të shumtë, e përfaqësues të sportit, të artit e të kulturës.

Presidenti Meta duke vënë në pah veçoritë specifike dhe vlerat qytetare të qytetit dhe përfaqësuesve të tij më të shquar, çmoi sportistin dhe trajnerin e spikatur përmetar Ethem Kaso me Titullin “Mjeshtër i Madh”Në vlerësim të përkushtimit dhe karrierës së gjatë e të suksesshme si mësues e trajner i basketbollit për femra në qytetin e Përmetit, si dhe për përgatitjen cilësore të disa brezave të basketbollisteve në nivel kombëtar”.

Në përshëndetjen e tij, me rastin e dekorimit, të zhvilluar në Qendrën Kulturore multifunksionale të Përmetit, Presidenti Meta u shpreh:

“Është një kënaqësi e veçantë që të jem me ju, më 9 Maj dhe t’ju uroj gëzuar Ditën e Evropës! Shpresoj që brenda qershorit të kemi një vendim pozitiv për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, pasi besoj se Shqipëria e meriton. Qytetarët e Shqipërisë e meritojnë, por sidomos përmetarët janë ndër të parët që e meritojnë për shkak të qytetarisë së jashtëzakonshme që kanë demonstruar në të gjitha kohët.

Qyteti juaj është i bukur në çdo kohë, por në pranverë Përmeti është një destinacion i jashtëzakonshëm dhe mjaft frymëzues për të gjithë dhe e di që këtu ka vështirësi për të gjetur dhoma e kapacitete akomoduese për turistët për shkak të rritjes së fluksit të tyre në mënyrë të jashtëzakonshme. Dhe kjo është një gjë mjaft pozitive.

Përmetarët dhe Përmeti kanë lënë gjurmë të jashtëzakonshme në të gjithë historinë e kombit tonë, në të gjitha përpjekjet për mbijetesë, për pavarësi, shtetformim, për formësimim e kulturës dhe historisë sonë kombëtare, falë kjo edhe personaliteteve të jashtëzakonshme të kësaj krahine, në të gjitha fushat. Vetëm nga Frashëri është një listë e panumërt me figura e personalitete të mëdha kombëtare.

Kur viziton këtë krahinë, nuk mund të mos mahnitesh edhe për shkak të mikpritjes së jashtëzakonshme përmetare, një traditë e një “shkollë” e ruajtur me shumë përkushtim e dashuri.

Përmeti ka vlera të jashtëzakonshme dhe unë ju përgëzoj që me aq kujdes e dashuri i trashëgoni ato brez pas brezi.

Jam këtu, me shumë dëshirë gjithashtu, për të nderuar profesor Ethem Kaso, si një figurë të jashtëzakonshme të këtij qyteti, si një shembull se si ne duhet të nderojmë e t’i kushtojmë më shumë vëmendje si shtet, si institucione e shoqëri figurave të tilla, të cilat në kushte mjaft të vështira arrijnë të bëjnë epokë në jetën e një qyteti e komuniteti. Arrijnë të bëjnë emër dhe të japin kontribute të spikatura në nivel kombëtar, duke edukuar me dashurinë për sportin breza të tëra të vajzave të Përmetit, të cilat kanë bërë histori jo vetëm për qytetin, por në mbarë sportin tonë të basketbollit, duke dhënë kontribute të rëndësishme për kampionatin tonë kombëtar dhe për ekipet kombëtare..

Ndaj besoj se puna e Ethem Kasos flet më shumë se gjithçka tjetër dhe se Titulli ‘Mjeshtër i Madh’ që i akordohet sonte është një vlerësim jo vetëm për të, në mënyrë të padiskutueshme, por edhe një vlerësim për kontributin e punën e përbashkët në ekip, të të gjitha institucioneve sportive të Përmetit, të cilat kanë dhënë kontributin e tyre dhe kanë bashkëpunuar duke bërë të mundur që sporti i basketbollit për femra në Përmet të arrijë rezultate mjaft të respektuara të niveleve kombëtare.

Dëshiroj gjithashtu të uroj të gjitha brezat e vajzave të shkëlqyera basketbolliste të Përmetit që u kanë dhuruar sportdashësve jo vetëm të Përmetit, por edhe të vendit, emocione të veçanta, të cilat me talentin e përkushtimin e tyre nderuan Përmetin, ekipet tona kombëtare, familjet e tyre dhe trajnerin e shquar Ethem Kaso, të cilin po e nderojmë sonte!

Urime profesor Ethemi! Në këtë mënyrë, le të japim edhe një mesazh kudo, për të gjithë Shqipërinë, që të ruajmë këto tradita të mrekullueshme sportive që kemi trashëguar, sidomos në sportet e lojërave me dorë, si basketboll e volejboll, ku ka pasur një shkëlqim edhe në nivelet ndërkombëtare. Këto janë sporte ku me pak investime, por me shumë pasion siç është edhe rasti i profesor Kasos, mund të frymëzohen tërë ata të rinj e të reja që të përfshihen në sport. Dhe njëkohësisht të ndryshojnë jetët e tyre: jo vetëm të bëhen sportistë shumë të mirë, por duke u bërë të tillë, të jenë edhe qytetarë shembullorë, sepse sporti të formon, të jep karakter e personalitet, të bën njeri të përgjegjshëm e të organizuar që nuk e humbet kohën kot. Aq më tepër në ditët e sotme, kur rinia jonë, për shkak edhe të kohës në të cilën jetojmë, është vazhdimisht nën presionin e tundimeve dhe rreziqeve të ndryshme. E duke i futur në rrugën e sportit i ndihmojmë të rinjtë jo vetëm të bëhen sportistë shumë të mirë, por edhe të kenë një të ardhme sa më të suksesshme e sa më të shëndetshme.

Shembullin e profesor Ethemit këtu në Përmet, por që nuk mungojnë gjithsesi, ne e kemi për detyrë t’i shpërndajmë kudo, në të gjithë Shqipërinë, aq më tepër në qytete të tilla që kanë shumë nevojë për të pasuruar edhe më tej botën e tyre shpirtërore. Urime edhe njëherë, të gjithëve!”

 

 

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!