Meta në forumin e Biznesit Maltë-Shqipëri

schedule11:27 - 22 Maj, 2018

schedule 11:27 - 22 Maj, 2018

Presidenti i Republikës po zhvillon një vizitë zyrtare në Maltë, me synim nxitjen e investitorët maltezë drejt Shqipërisë. Për këtë, Meta shoqërohej nga një delegacion biznesi nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

I shoqëruar nga përfaqësues të komunitetit të biznesit shqiptar të Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka vizituar Maltën. Qëllimi kryesor është ftesa për investitorët maltezë.

Ilir Meta: “Shqipëria mund të shërbejë si ‘qendër ekonomike rajonale’ për shtrirjen e investimeve të huaja në një treg ballkanik me më shumë se 20 milion konsumatorë, si dhe mund të jetë një ‘portë hyrëse’ rajonale drejt tregut evropian”.

Turizmi, energjia e rinovueshme, nevoja për investime private në modernizimin e bujqësisë dhe industrisë agro-përpunuese, janë vetëm disa nga projektet që prezantoi kreu i shtetit në forumin e biznesit.

Ilir Meta: “Shqipëria është një vend i bekuar me pasuri natyrore, nëntokësore, si dhe ka një nga popullsitë më të reja, më energjike dhe me koston më të ulët të krahut të punës në Evropë”.

Presidentja e Maltës gjatë fjalës së saj vlerësoi se dy vendet duhet t’i japin një hov të ri bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe të shfrytëzojnë të gjitha oportunitetet e biznesit për të eksploruar tregje te reja investimesh.

Në mbyllje të Forumit u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mes Dhomave të Tregtisë si dhe u zhvillua një seancë takimesh “BtoB” mes dhjetëra bizneseve shqiptare dhe malteze për inicimin e projekteve konkrete në fushën e investimeve./abcnews.al