Shqiptarët luten që vendimi të jetë pozitiv për celjen e negociatave. Me këto fjalë iu drejtua deputetëve gjermanë Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në “Takimin e 23-të Ndërkombëtar të Berlinit”, ku mori pjesë si i ftuar nderi.
Dy javë e ndajnë Shqipërinë nga vendimi i rëndësishëm që pritet të merret nga Këshilli Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. I ftuar nderi i Bundestagut gjerman në “Takimin e 23-të Ndërkombëtar të Berlinit”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u shpreh se shqiptarët luten që ky vendim të jetë pozitiv si për Shqipërinë, ashtu edhe për fqinjin tonë Maqedoninë.
“Brenda kësaj lutjeje qëndron dhe vetëdija e plotë për punën akoma më të madhe që duhet të bëjmë për të rritur cilësinë dhe standardet në të gjitha fushat e politikbërjes. Çelja e negociatave do të ishte një shtysë inkurajuese për adresimin edhe më të fortë të prioriteteve kyçe”.
Një tjetër lutje e përbashkët ishte për zgjidhjen sa më parë të cështjes së emrit të Maqedonisë tha kreu i shtetit por edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që të përparojë drejt një zgjidhjeje përfundimtare të pranueshme për të dyja vendet./abcnews.al