Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend ligjin për tatimin mbi të ardhurat. Në dekretin e kreut të shtetit thuhet se janë dy nene të këtij ligji që kanë probleme dhe duhet rishqyrtuar parlamenti.
Kuvendi ia rrëzon dekretet por presidenti nuk tërhiqet. Deputetëtve të mazhorancës i ka rikthyer për shqyrtim një tjetër ligj, atë për tatimin mbi të ardhurat.
Rishikoni nenin 9 dhe nenin 11 të këtij ligji këshillon kryetari i shtetit duke e argumentuar pse-në. “Neni 9, i ligjit nr.94/2018, bie në kundërshtim me parimin kushtetues të “barazisë përpara ligjit” dhe krijon pasiguri juridike përsa i takon aplikimit të tij në praktikë. Nisur nga përkufizimi i nenit 9, del qartazi se kemi të bëjmë me një dispozitë ligjore me efekt prapaveprues, në trajtën e një “amnistie fiskale”, ku nuk përcaktohet qartë shtrirja kohore e saj”.
Përveç kësaj, Neni 9 është në kundërshtim të hapur me kushtetutën ku ndalohet trajtimi fiskal preferencial me efekt prapaveprues, krijon pabarazi fiskale, paqartësi dhe mundësi abuzivizmi ndaj bizneseve dhe aksionerëve për shkak se nuk përcakton saktësisht normën 8 % apo 15 %, si dhe mënyrën se si do të tatohet dividendi që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 dhe më parë – janë disa nga argumentet e shprehura në njoftimin për shtyp të institucionit të presidencës.
Edhe Neni 11 bie ndesh me parashikimet e Kushtetutës, përsa i takon afatit të hyrjes në fuqi të këtij ligji prandaj Presidenti i Republikës i kërkon Kuvendit të rishqyrtojë këto dy nene me qëllim që përfituesit real të lehtësirave fiskale të të jenë të gjithë qytetarët shqiptarë dhe biznesi, pa diferencime dhe me trajtim të barabartë./abcnews.al