Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend ligjin që heq tatimin me vlerën e shtuar për jahtet dhe mjetet e tjera ujore të propozuar nga qeveria me qëllim forcimin e turizmit.
Këtë vendim të presidentit e ka përshëndetur në emër të Partisë Demokratike, ish-deputetja Jorida Tabaku.
Në një postim të sajin në Facebook, Tabaku shkruan se ligj është në vetvete “i palogjikshëm dhe kriminal në një vend ku një pjesë e biznesit të vogël paguan TVSH-në ndërsa oligarkët dhe pazari i tyre jo.”
“Por, ky projektligj bëhet edhe më i paturpshëm në kushtet e një krize të thellë që ka kapur jetën e çdo shqiptari,” shton Tabaku në postimin e saj.
Lexo edhe: Meta kthen ligjin që heq TVSH për jahtet luksoze: Krijon idenë e përjashtimit me natyrë klientiste
Po ashtu, Tabaku shprehet se ligji në fjalë është dëshmi e radhës që mazhoranca nuk e ka mendjen tek qytetarët e vendit “por tek një pakicë të cilën e furnizon me lehtësira fiskale si kjo që Presidenti Meta e rrëzoi.”
Postimi i plotë:
Në emër të PD, përshëndes vendimin e Presidentit Meta për të kthyer ligjin që i heq TVSH-në blerjes së jahteve.
Ky ligj është në vetvete i palogjikshëm dhe kriminal në një vend ku një pjesë e biznesit të vogël paguan TVSH-në ndërsa oligarkët dhe pazari i tyre jo. Por, ky projektligj bëhet edhe më i paturpshëm në kushtet e një krize të thellë që ka kapur jetën e çdo shqiptari.
Kur bizneset mbyllen masivisht, kur papunësia rritet, kur konsumi ulet, investimet e të ardhurat bien e çdo taksë rritet qeveria përsëri mendon të favorizojë klientet e saj.
Ky ligj u votua në Parlamentin kukull, disa ditë pasi qeveria i detyroi bizneset e goditura të vendit të paguanin TVSH-në edhe kur ishin te mbyllura. Një ligj që është dëshmi e radhës që mazhoranca nuk e ka mendjen tek qytetarët e vendit por tek një pakicë të cilën e furnizon me lehtësira fiskale si kjo që Presidenti Meta e rrëzoi.
Shqiptarët do ta tregojnë me maturinë e tyre vullnetin kundër një mazhorance që është produkt i një ortakërie mes krimit të organizuar dhe oligarkisë. Shqiptarët do të zgjedhin për të ardhmen e tyre, për familjen e tyre, për ekonominë e tyre. Një vend që pritet të goditet me një varfëri që do të shkojë në gati 50% të popullsisë, një shoqëri e cila po pëson rritjen më të madhe të papunësisë nuk ka luksin për këto eksese të turpshme. /abcnews.al/