Në një reagim lidhur me konkluzionet e djeshme të Këshillit për Çështjet e Përgjithshme mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, thotë se këto konkluzione duhen mirëpritur me realizëm dhe përgjegjshmëri.
“Ne të gjithë duhet ta vlerësojmë dhe çmojmë vullnetin pozitiv me të cilin si Komisioni Evropian ashtu edhe të gjitha vendet anëtare, e mirëpresin procesin e integrimit të Shqipërisë dhe gjithë rajonit në BE”, shprehet presidenti Meta.
Kjo qasje, sipas tij, duhet të na nxisë për një lexim të drejtë dhe realist të sfidave serioze që kemi përpara, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.
Kreu i shtetit shprehet se provimi ynë i Qershorit të ardhshëm do të jetë shumë i vështirë e kërkues pasi edhe vetë Bashkimi Evropian do të ketë provimin e tij zgjedhor në të njëjtën kohë. Ndaj, presidenti Meta i fton të gjithë për përqendrim, përgjegjësi dhe bashkëpunim./abcnews.al