Kreu i shtetit i propozon Kuvendit emrin e ish- drejtorit të SHISH Bahri Shaqiri për drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Por sipas kryetarit të Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja, kandidatura e Bahri Shaqirit përveçse është një profil politik, nuk është ekspert në fushën e financave.
Pasi i rrëzuan propozimin e parë për drejtuesin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Presidenti i Republikës i dërgon një të dytë, atë të këshilltarit të tij për Çështjet e Sigurisë Kombëtare.
“Presidenti i ka vendosur t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë që z. Bahri Shaqiri të zgjidhet në pozicionin Kushtetues të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Zoti Bahri Shaqiri plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë pozicion, si dhe është një kandidaturë me eksperiencë në drejtimin e institucioneve”.
Në gjykimin e presidentit Ilir Meta, Bahri Shaqiri ka njohuritë e duhura në fushën e ligjit dhe auditimit për të garantuar drejtimin profesional të institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
“Dekreti i Presidentit të Republikës dhe dokumentacioni shoqërues i kësaj kandidature i përcillet sipas ligjit Kuvendit të Shqipërisë për miratim”.
Ende pa u shprehur Kuvendi vendos tia kthejë përgjigjen kryetari i Komisionit të ligjeve Ulsi Manja.
“Përtej faktit të të bërit politikë, sinqerisht nuk arrij të kuptoj pse qenka kaq e vështirë për ta lexuar shqip në gërmë dhe frymë Kushtetutën e RSH?!
Kandidatura e Bahri Shaqirit për Kontrollin e Lartë të Shtetit, përveçse është një kandidaturë me profil të lartë politik pasi vjen nga forumet drejtuese të LSI, ka edhe një problem serioz kushtetues”.
Në sqarimin e deputetit socialist, Kushtetuta e përcakton qartë si kriter të kandidatit për drejtimin e KLSH, ekspertizën në fushën e financave.
“Mbase z.Shaqiri ka punuar me financat e LSI dhe këtë mund të ketë patur parasysh, kryetari në distancë i LSI, Presidenti Meta, kur e ka propozuar. Por e para s’ka të dhëna publike për këtë aktivitet, dhe e dyta edhe sikur të na i vinte në dispozicion këto të dhëna LSI-ja, sidoqoftë kjo nuk do ta zgjidhte problemin kushtetues të kandidaturës. Madje mund ta komplikonte atë”.
Opinion personal juridik e cilëson këtë satatus të tijin deputeti Ulsi Manja, por nga karriga e kryetarit të Komisionit të Ligjeve e njofton Presidentin e Republikës për vendimin që do të merret.
“Për sa i takon Komisionit të Ligjeve e shoh realisht të pamundur dritën jeshile për z.Shaqiri. Për të cilin kam respekt për si e ka drejtuar SHISH-in, në kohën kur qeverisnin z.Berisha bashkë me z.Meta. Ndërkohë është shqetësues fakti se, në mënyrë të përsëritur, për të disatën herë radhazi, Presidenti Meta po manifeston një mungesë të theksuar vullneti për ta lexuar shqip Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ky po që është një problem edhe më i madh se sa pamundësia për t’i dhënë OK kandidaturës së këshilltarit te tij”.
Që prej ditës që vendit i mungon Gjykata Kushtetuese janë vetë palët kundërshtare që vendosin se kush di ta lexojë Kushtetutë e vendit. Kjo është përplasja e rradhës midis presidentit dhe Parlamentit./abcnews.al