Meta i dërgon mesazh të koduar Ramës: Zaevi tregoi maturi që shkoi në zgjedhje, të reflektojmë edhe këtu

schedule14:12 - 26 Tetor, 2019

schedule 14:12 - 26 Tetor, 2019

Presidenti Ilir Meta e shfrytëzoi konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e Maqedonisë së Veriut për të dhënë mesazhe mbi zhvillimet politike në Shqipëri.

Ndër të tjera, Meta e cilësoi një pjekuri vendimin e Zaevit për të shkuar në zgjedhje të parakohshme pas mos marrjes së negociatave duke lënë të kuptohet se edhe Rama duhet ta bëjë një gjë të tillë.

“Kemi reflektim në Maqedoni, përmes zgjedhjes, që tregon dhe pjekurinë e tyre. Edhe te ne duhet të kemi një reflektim të menjëhershëm dhe të lexojmë me vëmendje të gjithë detyrimet që duhet t’i kishim përmbushur dhe që duhet t’i përmbushim.

Duhet të forcojmë raportet dhe bashkëpunimin me vendet kritike, Francë, Holandë, Danimarkë, Spanjë, etj. Duhet t’i bindim për seriozitetin tonë.

Nuk mjafton të themi Franca ka këto probleme të brendshme dhe po na përdor ne, nëse ne jemi një burim i shqetësimeve të brendshme të tyre, sa i takon krimit, azilkërkuesve.

Ne duhet të reagojmë me shumë përgjegjshmëri dhe në mënyrë të besueshme, në mënyrë që këto shqetësime të shuhen në javët e muajt në vijim.

Dhe të bëjmë të qartë që ndërsa jemi të gatshëm të përmbushim çdo detyrim, çdo ide tjetër dhe informale qoftë, çdo alternativë tjetër, është e papranueshme dhe është e padobishme”, tha Meta në krah të Pendarovskit.

Fill pas mos marrjes së negociatave nga BE, Zaev tha se do të çonte vendin në zgjedhje të parakohshme. Më parë ai kishte premtuar dorëheqjen. /abcnews.al