Meta dhe Berisha në Forumin e 6 të Baku

schedule16:37 - 15 Mars, 2018

schedule 16:37 - 15 Mars, 2018

Kreu i shtetit, Ilir Meta dhe ish-kryeministri, Sali Berisha, morën pjesë në Forumin e 6 të Baku, i cili do të zhvillojë punimet e tij deri në datën 17 Mars. Kreu i shtetit Meta është pritur nga presidenti i Azerbajxhanit. Ish-kryeministri Berisha përmes rrjetit social Facebook ka njoftuar mbajtjen e një fjale në forum.

Presidenti Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Forumit të 6 të Baku-t, forumit të nivelit të krerëve të shtetit dhe atyre të qeverive të vendeve të ndryshme, por edhe politikbërësish dhe akademikësh, me titull “Mbyllja e boshllëqeve për krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.”

Në një takim të veçantë, presidentin Meta e priti homologu i Azerbajxhanit, zoti Ilham Alijev. Gjatë bisedës, kreu i shtetit shqiptar shprehu mirënjohjen për mbështetjen personale të presidentit Alijev ndaj realizimit të projektit të gazësjellësit TAP, si dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Vlerësim të veçantë edhe për mbështetjen për projektin tjetër të gazit IAP, i cili do të ketë impakt rajonal të madh. Shtrirja e këtij bashkëpunimi edhe në fusha si tregëtia, turizmi, arsimi dhe kultura ishte besimi, që presidenti Meta i shprehu homologut Alijev, i cili e falenderoi kreun e shtetit shqiptar për ftesën dhe premtoi vizitë të shpejtë në Shqipëri.

Pjesë e këtij forumi që zhvillohet nga datat 15 deri në 17 Mars është edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit lajmëroi pjesëmarrjen përmes rrjetit social Facebook, ku shpjegon se do të mbajë një fjalë në sesionin me temë “Si ndikojnë fuqitë e reja në çështjet globale”?

Gjatë këtij takimi, shkruan Sali Berisha, krerë aktual shtetesh apo të mëparshëm, kryeministra dhe ministra, akademikë dhe ekspertë do të vlerësojnë gjendjen aktuale të botës për të sugjeruar hapa konkretë për udhëheqësit në luftën kundër kërcënimeve më të ngutshme të sigurisë dhe paqes ndërkombëtare, në formën e një deklarate.

Forumi do të përshëndetet me mesazhe edhe nga kryeministrja e britanisë, Theresa May dhe sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!