Seanca dëgjimore e Presidentit Ilir Meta përpara Komisionit Hetimor parlamentar, që po heton legjitimitetin e dekretit të Metës për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit zgjati për më shumë se dy orë.
Kreu i shtetit i shoqëruar nga disa këshilltarë, arriti në ambientet e Kryesisë së Kuvendit në orën 9:50, ndërsa ashtu siç ishte paralajmëruar në orën 10:00 nisi seanca dëgjimore.
Në fjalën e tij, presidenti Meta tha se aktet e tij janë bërë publike në lidhje me shfuqizimin e datës 30 Qershor dhe dekretimin e datës 13 Tetor. Siç ka deklaruar edhe më parë në konferencat për mediat, Meta tha se “nuk ka pasur shqetësim të plotësojë tekat e opozitës, por ka patur për qëllim të garantojë një proces zgjedhor gjithëpërfshirës sa më shumë të ishte i mundur, por në çdo rast për të shmangur shndërrimin e zgjedhjeve në votime”.
Sipas tij, mazhoranca nxitoi për të zëvendësuar dorëheqjet në bllok të opozitës pa bërë asnjë përpjekje për të vendosur një dialog me qëllim normalizimin e situatës në Kuvend. Për sa i përket datës së re për zgjedhjet vendore, Meta u shpreh se mund të vendosej edhe një ditë brenda muajit Korrik nëse do të kishte dialog mes palëve.
“Kush tha që zgjedhjet e reja vendore nuk mund të caktoheshin brenda muajit Korrik? Synimi im ka qenë që të vendosja datën më të afërt dhe për të garantuar gjithëpërfshirje. Shumica e bashkive të vendit kishin vetëm një kandidat”, tha kreu i shtetit.
Për sa i përket dialogut mes palëve për zgjidhjen e krizës Meta u shpreh se ka hasur dy pengesa kryesore.
“E para kokëfortësia e kryeministrit për të mos diskutuar shtyrjen e datës dhe së dyti ishte kokëfortësia e kryetarit të PD-së për të mos u ulur në një tryezë me Ramën si Kryeministër. Për mua ishin të papranueshme që kryeministri thoshte që pasi opozita ishte larguar nga parlamenti, për çfarë do të bisedonte. Ashtu sikurse për mua ishte e papranueshme që Basha nuk pranonte të ulej në tryezë me Kryeministrin”, tha Meta.
Më tej, ai theksoi se kjo nuk është hera e parë në vendin tonë që një president të shtyjë apo të vendosë një datë të re për zgjedhjet. Kjo ka ndodhur pesë herë dhe jo në situata normale sipas kreut të shtetit.
“Çfarë mund të bënte presidenti kur dy palët donin konfrontim. Mos të harrojmë që një punonjëse policie humbi jetën. Presidenti nuk mund të priste që një qytetar që të humbte jetën për të nxjerrë një dekret. Të dyja palët nuk do mbanin përgjegjësi, të dyja palët do të akuzonin njëra tjetrën”, tha Presidenti.
Meta u shpreh se e gjykoi të arsyeshme dhe të domosdoshme që të ishte para komisionit për shkak se kryetari i shtetit duhet të tregojë respekt ndaj institucioneve.
“Presidenti i Republikës duke nxjerrë një dekret për shfuqizimin e datës 30 Qershor ka mbrojtur të drejtën e zgjedhjes për qytetarët shqiptarë dhe ka shmangur një proces jodemokratik për zgjedhjet me një kandidat”, tha ai.
Ndër të tjera, kreu i shtetit u shpreh se ka pasur informacione që në një nga protestat e opozitës në Qershor, persona të caktuar do ta shfrytëzonin për të djegur Kuvendin dhe për të kryer akte të tjera.
“Presidenti i Republikës, për shkak të detyrës së tij ka pasur informacione të mjaftueshme, për përpjekje për të organizuar akte destabilizimi në vend. Në mënyrë të veçantë, në datën 7 Qershor, një ditë para se Presidenti të bënte publik shfuqizimin e datës 30 Qershor, ka marrë një informacion, sekret dhe të klasifikuar, në rast se komisioni dëshiron të njihet me të mund të ndodhë pasi të marrim edhe konfirmimin nga institucioni.
Ky informacion bënte të qartë që persona të caktuar do shfrytëzonin mitingun e paralajmëruar nga opozita përveç akteve të tjera edhe për djegien e Kuvendit të Shqipërisë. Ky ishte një informacion i ri në këtë drejtim, ishte tërësisht i besueshëm, po të kemi parasysh protestat e mëparshme, po të kemi parasysh pasojat nga këto protesta dhe konfrontime si rezultat i keni në konsideratë edhe deklaratat e Ministrisë së Brendshme për shumë policë të plagosur, qytetarë të dëmtuar e kështu në vijim. Me këto informacione Presidenti nuk mund të lejonte, apo nuk mund të mos shmangte një Rajshtag të dytë në Shqipëri, një ngjarje e cila mund të prodhonte pasoja për jetën e qytetarëve. Nga këto informacione gjykuam se ishte momenti i duhur për të parandaluar një ngjarje që mund të kishte pasoja të mëdha për qytetarët”, tha Meta.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mbërriti në orën 9:50 në Kryesinë e Kuvendit. Kreu i shtetit ishte i shoqëruar nga dy këshilltarë, ndërsa rrugën nga Kuvendi deri tek Kryesia e Kuvendit e kreu në këmbë.
Komisionit hetimor parlamentar është ngritur për të hetuar legjitimitetin e dekretit të nxjerrë prej tij për anulimin e 30 Qershorit si data e zgjedhjeve lokale. Komisioni thirri në seancë dëgjimore subjektin e hetimit dhe në këtë rast, kreu i shtetit iu përgjigj pozitivisht kërkesës së komisionit për t’u paraqitur para tij.
Mbledhja e komisionit hetimor parlamentar zhvillohet pikërisht në ditën kur në Tiranë mbërrin një delegacion i Komisionit të Venecias, të cilit komisioni hetimor parlamentar i ka kërkuar një opinion lidhur me çështjen që po trajton për presidentin Meta.
Gjatë dy ditëve në 10 dhe 11 Shtator, të dërguarit e Komisionit të Venecias do të zhvillojnë në Tiranë takime të rëndësishme me deputetë të mazhorancës dhe opozitës parlamentare, me kreun e Kuvendit, Presidentin, Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm, me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe me anëtaren e vetme të Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha.
/abcnews.al